Flash News

KRYESORE

Banka e Shqipërisë e pranon se ka rënie të rritjes ekonomike

Banka e Shqipërisë e pranon se ka rënie të rritjes ekonomike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko e pranoi se ka rënë ritmi i rritjes ekonomike të vendit. Në një konferencë shtypi për mediat, ai deklaroi se ekonomia është ngadalësuar në 6 mujorin e parë të vitit e ndikuar nga mungesa e energjisë elektrike, largimi i lojërave të fatit dhe përfundimi i projekteve energjetike.

“Ritmi i rritjes ekonomike do të vijë në përmirësim gjatë dy viteve të ardhshme, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda këtij horizonti kohor. Këshilli Mbikëqyrës vëren se rreziqet e kahut të poshtëm janë forcuar dhe se materializimi i tyre mund të diktojë një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare”, tha Sejko, që beson se rritja ekonomike përmirësohet vitin e ardhshëm.

Guvernatori ka bërë thirrje që të tregohet kujdes me menaxhimin e financave publike dhe të mbahet në kontroll deficiti, pasi konsolidimi fiskal ka pësuar ngadalësim.

Ai komentoi edhe projektligjin e hedhur në konsultim publik për lejimin e kriptovalutave në Shqipëri.

“Në rast se ne do të gjykojmë që projektligji do të sjelli risi dhe rreziqet do të jenë të menaxhuara, do të shohim edhe përfitimet që do të ketë ekonomia dhe në këtë aspekt në rast se këto do të adresohen ne do të jemi OK”, përfundoi Sejko.

Inflacioni në tremujorin e tretë të këtij viti ishte 1.4%, larg objektivit të Bankës që është 3%.

Të fundit