Flash News

KRYESORE

Bardhi: Arta Marku do përgjigjet para ligjit për shpërbërjen e grupit hetimor të dosjes Tahiri

Bardhi: Arta Marku do përgjigjet para ligjit për shpërbërjen

Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Gazmet Bardhi tha se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit ka marrë goditje të paprecedentë gjatë këtyre ditëve nga kryeprokurorja Arta Marku, e cila sipas tij,  me veprime të qëllimshme dhe me paramendim, po godet, dekurajon dhe shantazhon, grupin e prokurorëve antimafia.

“Transferimi i paligjshëm i 3 prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe procedimi disiplinor për 10 prej tyre, është pjesë e një skenari të urdhëruar nga Edi Rama, për të shantazhuar prokurorët që janë në betejë të përditshme me krimin e organizuar, pushtetarët e lidhur me të dhe qeveritarët e korruptuar. Sulmi ndaj prokurorëve të Krimive të Rënda është pjesë e marrëveshjes së Edi Ramës me krimin e organizuar, që fuqizohet çdo ditë e më shumë, falë mbështetjes nga Qeveria”, deklaroi Bardhi.

Këshilltari ligjor i PD-së theksoi se transferimi i prokurorit vetëm pak orë pasi kishin urdhëruar sekuestrimin e 31 pasurive të grupit kriminal “Habilaj”,  është një mesazh i qartë për drejtësinë.

“Transferimi i njërit prej prokurorëve dhe procedimi disiplinor i një prokurorit tjetër, të dosjes së Saimir Tahirit, vetëm pak orë pasi kishin urdhëruar sekuestrimin e plot 31 pasurive të grupit kriminal “Habilaj”, është një mesazh i qartë për drejtësinë: Kush vepron ndaj bandave të lidhura me pushtetin, largohet nga detyra, ndëshkohet dhe sulmohet”, theksoi Bardhi.

Ai shtoi më tej se Arta Marku është e vetëdijshme se pse është në atë pozicion në mënyrë krejtësisht të paligjshme dhe të imponuar nga Edi Rama.

“Shpërbërja e grupit hetimor të dosjes së Saimir Tahirit, dhe pengimi i drejtësisë në këtë rast, janë veprime kriminale të Kryeprokurores Arta Marku dhe ajo duhet të përgjigjet përpara ligjit për këtë. Hetimi pa vonesë për padinë penale të opozitës dhe pezullimi i Arta Markut nga detyra është shërbimi më i madh që prokurorët e ndershëm mund t’i bëjnë drejtësisë, duke mos lejuar që një kryeprokurore e përkohshme, shërbëtore e krimit të organizuar, t’i bëjë Shqipërisë një dëm të përhershëm”, përfundoi Bardhi.

Të fundit