Bardhi sfidon gazetaren Mirela Milori: Më tregoni një kritikë të Patozit kundër Ramës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi sfidoi gazetaren Mirela Milori në studion e ‘Mbrëmje Ide’, duke i kërkuar të tregojë ndonjë deklaratë të Patozit kundër Edi Ramës, ku ai ishte i ftuar dje. Bardhi po ashtu shtoi se ata nuk i frikësohen aspak forcës së re politike, që sipas tij nuk do të arrijë të marrë asnjë votë të djathtë.

“Zoti Patozi ishte në studion tuaj dhe po të më thoni apo të mbani mend ndonjë fjali që tha kundër Edi Ramës, ju lutem, ma kujtoni. Ma thoni! Në 30 minuta në intervistën tuaj, foli vetëm kundër PD, nuk foli kundër Edi Ramës. Prandaj, duhet të jemi të sinqertë me shqiptarët. Opozitar të bën vetëm veprimtaria politike. Sa për pjesëmarrjen në zgjedhje, në përputhje më kushtetutën dhe ligjin, kjo parti nuk merr dot pjesë në zgjedhje, sepse nuk është regjistruar akoma në gjykatë, ndërkohë, që afati i regjistrimit të partive politike për të marrë pjesë në zgjedhje ka përfunduar dje. Nëse Edi Rama, për interesat e veta, do të urdhërojë politikisht anëtarët e vet në KQZ që të shkelin ligjin për ta regjistruar këtë parti, besoj se ua qartëson shpejt shqiptarëve nevojën për krijimin e kësaj partie”, përfundoi Bardhi.