Flash News

KRYESORE

Basha apel shqiptarëve në Maqedoni: Votoni referendumin më 30 shtator

Basha apel shqiptarëve në Maqedoni: Votoni referendumin më 30

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në Maqedoni që më 30 shtator të bashkohen për të votuar referendumin historik, që do të përcaktojë emrin e ri ‘Republika e Maqedonisë së Veriut’.

Ndërsa zhvilloi një takim me kreu i BDI-së, Ali Ahmetin, si dhe me krerët e partive shqiptare në Maqedoni, Basha u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë atje, që të votojnë masivisht pro ndryshimit të emrin, për t’i hapur rrugë proceseve euroatlantike.

“Kam ardhur të ndaj me kënaqësi qëndrimin e përbashkët të të gjithë forcave politike të shqiptarëve në Maqedoni. Liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, miku im Ali Ahmeti, e tha qartë dhe shkoqur. Mesazhi i tij, i cili rezonon sot anembanë Maqedonisë pranë qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, është mesazhi i stabilitetit, i paqes, i sigurisë dhe i të ardhmes së sigurt të Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj si anëtare e aleancës më të madhe më të fuqishme politike dhe ushtarake në botë, aleancës së NATO-s dhe si prolog i anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian.

Unë jam këtu që në emër të Partisë Demokratike të mbështes dhe të përgëzoj nga zemra përpjekjet e palodhura të lidershipit shqiptar, të z Ali Ahmeti, të kolegëve të tij, krah për krah edhe forcave të tjera politike të Maqedonisë që me 30 shtator të shënohet një kapitull i rëndësishëm për Maqedoninë por edhe për mbarë rajonin duke hedhur hapin vendimtar drejt anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Partia Demokratike ka një porosi apo një këshillë, një mesazh për të gjithë qytetarët e Maqedonisë e në veçanti për bashkëkombasit tanë shqiptarë, të dalin masivisht e të marrin pjesë masivisht të gjithë në referendumin e 30 shtatorit dhe të hedhin votën e tyre për Maqedoninë në NATO dhe për të ardhmen e sigurt euroatlantike dhe europiane të Maqedonisë dhe mbarë rajonit”, tha Basha.

Nga ana tjetër, kreu i BDI, Ali Ahmeti e vlerësoi angazhimin e Bashës me lidershipin shqiptar në Maqedoni, si dhe thirrjeve ndaj shqiptarëve.

“Është një moment historik që nuk përsëritet dhe tërësisht për këtë angazhim z Basha na dha përkrahjen e fortë që ne të vazhdojmë me përkushtim që vendi ynë të jetë anëtar i plotë në NATO, të jetë anëtar i plotë në Bashkimin Europian. dhe me 30 shtator vendoset jo vetëm për një Maqedoni stabile por për një rajon shumë më të sigurtë, si për popujt që jetojnë këtu ashtu edhe vendet rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Prandaj do doja ta falenderoja nga zemra mikun tim Lulzim Bashën për këtë përkrahje kaq të sinqertë që po u jep jo vetëm shqiptarëve por të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë sepse 30 shtatori është paqja, stabiliteti, siguria, ardhmëria, marrëdhënia me fqinjët, janë në dobi të të gjithëve dhe nga paqja fitojmë të gjithë. Ky ishte mesazhi që dha kryetari i Partisë Demokratike i cili na entuziazmoi dhe besoj se suksesi nuk do të mungojë i dashur z Basha.

Me 30 shtator nuk është një referendum i thjeshtë. Me 30 shtator nuk votohet thjeshtë për një marrëveshje të arritur mes dy vendeve ku zgjidhet një problem gjysëm shekullor. Me 30 shtator votohet për ardhmërinë e vendit tonë. Në 30 shtator votohet për më shumë paqe, stabilitet dhe siguri dhe kjo arrihet duke qenë anëtar në NATO dhe në BE. Kjo do të thotë se 30 shtatori është ditë historike për ne. Ditë e papërsëritshme.

Të gjithë qytetarët duhet të jenë të vetëjdishëm se vendoset për faqet e tyre pavarësisht se kujt komuniteti dhe feje ata i takojnë. Ditë historike dhe asnjë nuk duhet të hezitojë por të dalin e të votojnë për të ardhmen e vendit tonë”, u shpreh Ali Ahmeti.

Të fundit