Basha: Banorët e Fushë Mamurrasit rrinë në tenda, të nisë urgjent rindërtimi i banesave

Kryetari i PD-së Lulzim Basha në këtë 8 dhjetor, Ditën e Rinisë, shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë të rinjtë që në këto ditë sprovash dhe dhimbjesh u shndërruan në shpresë dhe forcë për çdo shqiptar.

Nga Fushë Mamurrasi ai shfaqi shqetësimin për gjendjen e banorëve.

“Kjo tragjedi zhveshi nga propaganda gjendjen e vërtetë të vendit, të Shqipërisë së varfër, të vjedhur dhe abuzuar. Njerëzit po kalojnë netët në tenda plastmasi, duhet që të nisë urgjent rindërtimi i banesave.

Nderim përjetë heronjve të 8 dhjetorit 1990 me në krye Azem Hajdarin që u ngritën mbi frikën dhe me kurajo e vizion diktuan rënien e diktaturës dhe lindjen e demokracisë shqiptare. Mirënjohje për çdo të ri që në këto ditë te errëta për vendin, ka ndezur dritën e shpresës dhe solidaritetit kombëtar. Zoti e bekoftë rininë shqiptare dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, tha Basha.