Basha imiton Berishën e 2005-ës, aleatët prezantojnë planin për hapjen e PD

Aleatët e Partisë Demokratike, Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu kanë treguar detaje nga darka informale e zhvilluar të hënën në mbrëmje me Lulzim Bashën në Ishëm të Durrësit. Në tryezën e diskutimeve është diskutuar edhe për hapjen e opozitës përmes një mekanizmi të ngjashëm me KOP-in (Komiteti i Orientimit te Politikave) e 2005 të ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Shkojmë përtej KOPIT përfshirë kontribuesit në harkun opozitar e levave të reja”, mendon Dashamir Shehi.

“KOOPI  2005 ishte mekanizëm i jashtëzakonshëm me figura të shquara, është eksperiencë që vlen, ka rrugë dhe mënyra për ta çuar në një nivel me ndryshe. Afrimin e figurave të shuara të opozitës brenda dhe jashtë dhe të gjithë personalitete që kanë qenë në Parlament apo pushtet lokal”, sqaron Fatiu Mediu për TV Klan.

Ideja e hapjes së Partisë Demokratike më një “KOP 2” është përfolur edhe në Janar të 2017-ës para futjes në çadër, por nuk u realizua.

Ndërkohë për daljen e vendit nga kriza është rënë dakort që opozita të ketë gati platformën e saj kombëtare, që nis nga ndryshimet kushtetuese deri tek ato për reformën zgjedhore. Në këtë pikë të vegjlit të cilët kërkojnë ndryshim sistemi dhe lista të hapura thonë se kanë marrë mbështetjen e Lulzim Bashës.