Flash News

OP-ED

Basha ka ‘kontekstin’ kundër, por gjermanët me vete

Basha ka ‘kontekstin’ kundër, por gjermanët me vete

Alfred Lela

Shefi i opozitës është prej dy ditësh në Gjermani në një ‘tur politik dëgjimor’ me deputetë të Bundestagut dhe vendim-marrës të tjerë. Burime të Politiko njoftojnë për një numër rekord takimesh të Bashës gjatë së enjtes dhe për të tjera gjatë së premtes. Duket se z. Basha do të takohet edhe njëherë me fatin e vet politik, por edhe të Shqipërisë, takim që ndodh në një mes të njohur tashmë për të: Gjermanisë dhe Amerikës.

Në pranverën e 2017 ishte Paketa McAllister, që më vonë u pagëzua McAllister Plus, për të nderuar amerikanët dhe për të ‘shpëtuar’ gjermanët, që i uli në një tryezë, më në fund, dy kundërshtarët politikë dhe çoi në marrvëshjen e 17 majit. Të cilën lideri i opozitës e quan tashmë ‘të vdekur’.

Historia duket se përsëritet. Nëse këtë javë Basha bën turin e Berlinit, javën që vjen, në Tiranë do të mbërrijnë, edhe njëherë si përherë, amerikanët. Mathew Palmer i pari dhe, një muaj pas tij, Jonathan Moore.

Kjo përsëritje e historisë, ama, nuk mund të jetë as tragjedi dhe as farsë. Gjermanët janë të humbur për Ramën, nëse u beson fjalëve të një eksperti të intervistuar nga Politiko.al. Sipas Bodo Weber, Edi Rama ka tëhuajësuar partnerin më të sigurt të Shqipërisë në BE, Gjermaninë. Kjo do të thotë se Shqipëria nuk do të ketë një ‘Po’ gjermane për negociatat e qershorit. Më shumë se kaq, nën qeverisjen e majtë, Shqipëria ka ngecur sa i takon procesit të antarësimit. Nëse 8 vite ‘të djathta’ panë antarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave, ankthi shqiptar i ngecjes te dyert e Europës mund të shihet më qartë se kudo te ‘eksodi i ri’.

Konteksti është i keq: BE ka Brexit-in dhe zgjedhjet e Parlamentit Europian nëpër këmbë. Hedhja aty edhe e propozimit për shkëmbim kufijsh, në të cilin Rama e ka pagëzuar veten kumbarë, vetëm sa e shton nervozizmin në Berlin.

Nëse i rikthehemi sërish intervistës së Bodo Weber për Politiko.al, që në vitin 2005 Amerika ia ka përcjellë lidershipin e Ballkanit Gjermanisë. Vizita e dyfishtë Palmer-Moore sugjeron se nevoja për Washington mbetet ende e fortë. Edhe më shumë kur BE është e dobët dhe kur Berlini mbetet vetëm, mes britanikëve që duan të ikin dhe francezëve që ende e kanë protagonizmin dhe mallëngjimin e fuqisë së dikurshme, të cilën nuk e shohin dot të humbur sidomos para gjermanëve.

Duket se lufta për kontekstin e përcakton fituesin ‘në tavolinë’. Bashën dhe Ramën, të paktën njëherë, i bashkon e njëjta gjë. Ata nuk mund ta përcaktojnë kontekstin e jashtëm, por të brendshmin, po.

Në këtë kontekst, si mund t’i fitojë Basha aleatët, me kauza të drejta apo duke ‘e kërcënuar’ stabilitetin me demokraci?

Të fundit