Basha kërkon të zgjidhë një paradoks; a do të mundet?

Alfred Lela

Shefi i demokratëve në opozitë, Lulzim Basha, ka hedhur nga qyteti i Elbasanit, ku ka zhvilluar mbledhjen e grupit parlamentar të PD, idenë e një ‘vetingu për politikën’. Nëse duhet një ilustrim, që  fjala vetting të mos tingëllojë e huaj dhe pakuptimtë, mjaft të sillni ndërmend pamjet e parakalimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nën mbikqyrjen e trupave ‘hetuese’ të cilat vendosnin ‘live’ se cili mund ta vazhdonte karrierën ose jo.

Politikanët duhet t’i nënshtrohen të njëjtit përimtim, sugjeron Basha. Propozimi i kryetarit të demokratëve nuk duket të jetë thjesht një lëvizje taktike në frymën e ‘opozitarizmit të ri’ që ka nisur këtë fillimvjeshtë. Ose të paktën kjo është shpresa. Basha mund t’i arrijë të dyja në fakt; lëvizjen ‘turbulluese’ në skenën politike për të frustruar kundërshtarin, dhe një kthjellim apo më saktë ‘standardizim’ të metrikës etike që mat integritetin e të gjithë krahëve të pushtetit në Shqipëri. Nuk është më pak e rëndësishme ajo se lideri demokrat zgjidh edhe disa paradokse me këtë ide.

I pari ka të bëjë me gjendjen e paqartë krijuar nga vetingu, që synon atë që është etiketuar ‘drejtësia e re’. Nëse, për të mbështetur rrjedhën e argumentit, pranojmë se vetingu ka funksionuar, ka qenë i drejtë, i paanshëm, efiçent dhe e ka pastruar sistemin e drejtësisë, edhe pse mund të kemi thënë një gjysmë të vërtetë, nuk ka problem. Ngërçi qëndron te ajo se riparimi i gjysmës së motorit që çon përpara ‘makinën e demokracisë’ nuk i heq defektet gjysmës tjetër. Një gjyqësor i hamendësuar si i spastruar nga elementët e korruptuar apo të anshëm, nuk e heq mëdyshjen që ka publiku për trupën politike.

Pak kthjelltësi kërkohet për të ditur dhe pranuar se sistemi gjyqësor ishte zhytur në llum kryesisht për faj të një shkeljeje permanente syri që merrte nga pushteti politik. Të dy palët lejonin njëra tjetrën që të ushtronin pushtet të pacënuar, duke falur mëkatet reciproke. Në këtë proces flijohej edhe ideja e bukur e pavarësisë dhe e ndarjes së pushteteve.

Paradoksi i dytë që zgjidh propozimi i Bashës na çon drejt pyetjes që ka qarkulluar, shpesh e më shpesh, pa gjetur prehje. Si shpjegohet që Kryeministri, ministrat dhe deputetët e shumicës qeverisëse, shprehen kaq fort në mbështetje të reformës? A nuk do të ishin bash ata të parët që do hetoheshin nga një trupë e pakorruptuar dhe e paanshme gjyqësore e instaluar në Shqipëri? A ekzistojnë të dhëna, të brendshme e të jashtme, që tregojnë se korrupsioni dhe përfitimet nga paraja publike janë minimizuar, dhe kjo është arsyeja pse qeveritarët e kanë këtë lirshmëri dhe sypatrembje në raport me një gjyqësor të pastruar? Nëse përgjigjia e kësaj pyetjeje është negative, atëherë ata ose kanë instaluar instrumente të kapjes së trupës së re gjyqësore, ose janë të marrë. Siç ekziston edhe pista tjetër e mosdashjes së reformës, por shprehen pro saj për sy e faqe.

Sidoqoftë, me propozimin e ri për vetting të politikës, opozita e deparadoksalizon mjedisin. Nuk ke si ta dish nëse bash ky qenë qëllimi i demokratëve, por vettingu në politikë i jep Bashës edhe një kartë tjetër epërsie. Mundësinë që t’a paraqesë veten dhe të tijtë si të gatshëm për transparencë dhe për krahasim. Një prej pritave të mëdha që e pengon opozitën të pëfitojë lartësi është edhe stigma ‘këta janë të gjithë njëlloj’. Basha e ka hequr, potencialisht, këtë shenjë barazie duke ofruar përballë qeverisë Rama një ‘qeveri hije Basha’. Sigurisht, ai që ofrohet për të bërë benë duhet edhe të jetë i sigurt se nuk e ka të rrejshme.

Nuk është kjo më kryesorja, megjithatë. Bashës i duhet ta vazhdojë deri në fund dhe me të gjitha mjetet betejën që pason propozimin e tij. Ideja nuk është një propozim për partneritet vetëm me publikun, por edhe me ndërkombëtarët.

Të cilët duhet të dalin nga paradoksi më lart i përmendur për të cilin nuk kishin pyetje, përgjigje dhe as kureshtje.