Basha krenar për Forcat e Armatosura: Meritoni mbështetje, sakrifikuat gjatë tragjedisë

Kreu i PD-së Lulzim Basha u takua me ushtarakët në shërbim të qytetarëve në Bubq, ku u shprehu mirënjohjen për sakrificën e bërë në këto ditë të vështira për vendin.

“Mirënjohje nga zemra efektivëve të Forcave të Armatosura, djemve dhe vajzave tona në uniformë që edhe pse në kushte shumë të vështira, kanë sakrifikuar prej orëve të para të tragjedisë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të goditur nga tërmeti. “, shkroi Basha në Facebook.

Ai ndihet krenar për forcat ushtarake, që si pjesë prej dhjetë vitesh e NATO-s kontribuojnë me nder dhe dinjitet për paqen dhe stabilitetin kudo ne botë.

“Ju meritoni dhe do të keni të gjithë mbështetjen e munguar. Në këtë 107 vjetor të Ushtrisë Shqiptare ju uroj nga zemra, Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!”