Basha lobon në PPE për hapjen e negociatat me BE-në: Kjo do ta ndihmojë Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Bruksel në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Evropiane, ku po lobon për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Sipas tij, çelja e bisedimeve do të shërbejë si garanci për të ndërtuar në Shqipëri një shtet demokratik, me pushtete të ndara, ku të garantohet vota e lirë.

Lideri i opozitës zhvilloi takime me përfaqësues të partive anëtare të PPE-së, drejtues të politikës së jashtme dhe të zgjerimit në Parlamentin dhe Komisionin Evropian, si dhe Parlamentet e vendeve anëtare, ku u kërkoi atyre mbështetje.

“Siç u dëshmua nga raporti i OSBE/ODHIR për votimet moniste dhe antikushtetuese të 30 qershorit, zgjedhjet nuk janë as të lira, as demokratike. Hapja e negociatave është e rëndësishme, pasi do të sjellë një mbikëqyrje të shtuar nga BE për të ndihmuar në ndarjen e politikës nga krimi, i cili sot ka kapur shtetin dhe për të penguar kandidimin e personave me rekorde kriminale, siç demonstrojnë rasti i Shkodrës dhe Vorës, ku është provuar tashmë se dy të inkriminuar u caktuan të kandidonin për bashkitë.”, tha Basha.

Ai shtoi se Shqipëria sot ka një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike.

“Zgjidhja, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të mbikëqyrura nga një qeveri transitore.”, tha Basha.

Punimet e Asamblesë Politike të PPE-së do të vazhdojnë dhe gjatë ditës së nesërme, ku në agjendën e diskutimit, do të jenë sfidat me të cilat përballet Evropa aktualisht dhe përgatitjet për Kongresin e PPE-së, i cili këtë vit mbahet në Zagreb.