Flash News

OP-ED

Basha (më në fund!) i merr timonin Ramës

Basha (më në fund!) i merr timonin Ramës

Alfred Lela

Qëndrimi i ri i Opozitës së Bashkuar, kërkesa drejtuar mazhorancës për hapje 100 përqind të listave, me siguri i ka shtangur shumë prej vëzhguesve të zhvillimeve politike në vend. Sepse shënon një piruetë të fortë në qëndrimet e Lulzim Bashës, dhe jo një kthesë në drejtim të greminës.

Më shumë se kaq, sepse, si rrallëherë, Basha arrin të marrë në dorë timonin e komunikimit politik, duke e përmbysur agjendën e kundërshtarit, në stilin one over apo një në dorë ( përkthimi i trashë në shqipe).

Duket se Basha e ka kuptuar, ose ka pranuar këshillën e ndokujt, se komunikimi dhe strategjia politike, jo domosdoshmërisht, përputhen, dhe lëvizja e fundit është shembulli më i qartë i kësaj. Rama nuk i do listat e hapura, por i nevojitet komunikimi publik që i sigurojnë ato. Që do të thotë kauza apo 'shenjtëria' e një teze në kontekstin e një klase politike që shihet me dyshimet e djallit.

Me sondazhe në rënie, me trysni ndërkombëtare, me ekonomi problematike, në mes të një pandemie, me skandale që shtyjnë njëri-tjetrin, Rama ia ka dalë ta mbajë pushtetin vetëm nëpërmjet një atuje që ai e kishte dhe opozitës i mungon: komunikimi.

Ndërkohë që PD dhe Basha janë ende të ngërthyer në parabolën moraliste të forcës së parë opozitare që rrëzoi komunizmin, duke e veshur veten me petkat e një partie misionare, Rama zgjodhi një rrugë tjetër krejt të kundërt. Më të re. Me më shumë sex appeal. Komunikimin e një flair-i estetiko-progresisto-reformator. Kjo u pa veçanërisht pasi Alastair Campbell erdhi në ‘shtabin’ e public relations të Ramës, pak para ardhjes në pushtet dhe në vazhdim.

Edhe në rastin e fundit, listave të hapura, Rama mori brumin e një tejngopjeje të publikut me kryetarokracinë, një veleritje me përfaqësuesit e tyre që nuk i përfaqësonin, dhe e ktheu në kapital politik. Më shumë se listat e hapura, donte kundërshimin e opozitës; më shumë se reformimin lypte kontrastin me të tjerët si mjet komunikimi publik; më shumë se çlirimin e zgjedhjeve, kërkonte një shans të tretë për veten.

Arsyet pse Basha nuk mundi ta lexonte këtë blof, ndoshta kanë të bëjnë, edhe sot e kësaj dite, me kompleksimin e tij prej marrëveshjes së 17 majit (nëse Rama ka një ide, mua më duhet e kundërta e saj). Ky është një vagon i njohur tashmë, ku hipin të gjithë, përfshirë ata personazhe që janë sot në sallën e Kuvendit, pjesë e së ashtuquajturës opozitë parlamentare, falë kësaj marrëveshjeje.

Këto janë hipokrizitë e politikës, dhe ato do vazhdojnë të jenë të pranishme, edhe pse shpesh të parëndësishme. E rëndësishme është se shefi i PD e ka kapur, më në fund!, timonin e komunikimit publik. Ai i ka marrë Ramës tezën kryesore dhe e ka zmadhuar në favor të vetes dhe kampit të tij. Është si ajo dora finale apo blofi në poker, kur kundërshtari hedh një shumë dhe ti i kundërpërgjigjesh me all in.

Lëvizje të tilla të japin komandën dhe e detyrojnë kundërshtarin të hapë letrat. Në këtë rast listat. Ose qëllimet e vërteta për to.

 

Të fundit