Flash News

OP-ED

Basha, në Durrës me Ramën apo në Tiranë me Veliajn?

Basha, në Durrës me Ramën apo në Tiranë me Veliajn?

Alfred Lela

Kryeministri Rama është zhvendosur nga Vlora në Durrës, duke marrë komandën e qarkut të dytë më të rëndësishëm në Shqipëri për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Edhe pse përligjia që Rama i bën lëvizjes nga Jugu në Shqipëri të Mesme qëndron, duke listuar procesin e rindërtimit pas tërmetit, nuk është krejt e vërteta. Kryeministri ngjitet në Durrës për të marrë në dorë një qark problematik, të shumëdiskutuar në zgjedhjet e fundit, debate që shkuan deri te tabloidi gjerman BILD në formën e përgjimeve të eksponentëve të lartë socialistë, në biseda me elementë të nënbotës me fokus shtrembërimin e vullnetit të votuesve.

Hija e ‘dosjes 339’ dhe amullia ku ka hyrë Bashkia e Durrësit me një kryetar të komanduar, pas dorëheqjes së kryebashkiakes së dalë nga zgjedhjet e konsideruara si të njëanshme të qershorit të vitit të kaluar, e detyruan Ramën që ta kthejë Durrësin në ‘kryeqytet’. Sigurisht, fakti që bashkia e madhe bregdetare do të jetë në qendër të përpjekjeve rindërtuese do të kërkojë nga kryeministri në garën për mandatin e tretë më shumë impenjim, por edhe do të japë më shumë skenë dhe lavdi.

Rama do të shkelë gazin e rindërtimit për t’i përdorur banesat dhe lagjet e reja si një mjet fushate dhe për të përcjellë nga Durrësi mesazhin mbarëkombëtar të ‘triumfit mbi tërmetin’ dhe për të ndërtuar mbi të një come back elektoral. Rama nuk ka shumë për të treguar, të paktën për katër vitet e mandatit të dytë, dhe e vetmja shpresë dhe rrugë i mbetet një proces rindërtimi i mbrothët të cilin do ta shesë me tam tame si çlirimin e tretë të Shqipërisë, dhe mundësia që një vaksinë antiCovid-19 në fillim të pranverës do ta çlirojë popullatën nga trysnia e pandemisë.

Megjithatë ai nuk duhet lënë i qetë në planin e tij.

Detyra e kundërshtarit politik, shefit të opozitës Basha, është që ta ndjekë këmba- këmbës. Duke filluar që me marrjen e kryesimit të listës së Durrësit dhe zhvendosjes së çadrës elektorale të PD aty. Më shumë se matematikë, vendosja e Bashës në krye të Durrësit shërben si simbolikë. E disa gjërave.

Më e para, ndoshta, e faktit se kryetari i opozitës ka kalëruar betejën e virtytshme të ‘dosjes 339’ dhe duhet të jetë aty për t’ia kujtuar Ramës ‘krimin’ në ‘vendin e krimit’. Për t’i ushtruar presion gjithashtu që ‘miu të mos kalojë për herë të dytë në mustaqe’, pra të mos përsëriten manipulimet zgjedhore të shkuara, siç pretendon opozita.

Gjithashtu për të vendosur një vëmendje mbi butaforinë e zgjedhjeve lokale dhe për të thënë se Durrësi është me kryebashkiak të komanduar, pikërisht prej një procesi të padrejtë dhe të pafrytshëm.

Erion Veliaj i ka kërkuar Lulzim Bashës që të kandidojë përballë tij në Tiranë për kreun  e Bashkisë, por shefi i opozitës është duke konkurruar për postin e kryeministrit. Ky i fundit ka shkuar në Durrës.

Basha do të rrijë me Erionin?!

Të fundit