Flash News

KRYESORE

Basha në Elbasan: Zgjedhjet e të dielës janë për ekonominë

Basha në Elbasan: Zgjedhjet e të dielës janë për

Lulzim Basha u tha sot qytetarëve të Elbasanit, se zgjedhjet e të Dielës, janë për ekonominë. Për ekonominë e fortë, me taksa të ulëta, me investime që krijojnë vende pune, me prioritetet e duhura që kanë parasysh qytetarët dhe nevojat e tyre.

Basha tha se vetëm ai ka një plan ekonomik, pala tjetër ka vetëm fjalë, e premtime boshe.

Pikërisht, për planin e z.Basha, ka reaguar sot dhe Partia Popullore Europiane, me një mesazh, ku vlerëson projektin për ekonominë e krijimin e vendeve të punës.

“Kush e ka planin ekonomik?! , iu drejtuar Basha qytetarëve.

“Vetëm Partia Demokratike me ndihmën e Angela Merkel e cila së bashku me liderët e Bashkimit Europian, teksa mbërrita këtu ka lëshuar një komunikatë ku na uron fitoren e thellë. Partia Popullore Europiane, partia e Kancelares Merkel, e Presidentit të Komisionit Europian, e Presidentit të Këshillit Europian, Presidentit të Parlamentit Europian, grupit më të madh parlamentar, zyrtarisht më uron mua por natyrisht na uron të gjithëve ne fitoren. Ata e dinë, ata e thonë se ne jemi të vetmit me një plan të besueshëm i cili do të nxjerrë Shqipërinë nga stanjacioni”.

Më tej, mesazhi i PPE, që Basha e ndau me qytetarët në takimin përmbyllës të fushatës, ishte:

“Partia Demokratike është alternativa e vetme për zhvillimin e ekonomisë. Eshtë partia e vetme me një plan të detajuar për të ringjallur ekonominë, për të krijuar punësim, për të investuar në arsim, për të investuar në stazhe pune. Parakushti i i progresit ekonomik është që Shqiperia të vazhdojë Reformën në Drejtësi, Shtetin Ligjor, luftën kundër krimit të organizuar, drogës dhe dhe korrupsionit. Basha ka luftuar për vite me radhë për modernizimin e vendit dhe ne besojmë se ai do të jetë i përkushtuar për të zbatuar reformat për ta sjellë Shqipërinë në vlerat europiane”.

Qytetarët e Elbasanit kanë pritur me entuziasëm fundin e mesazhit të PPE, që thotë se: “Së fundmi, i urojmë të gjithë kandidatët e Partisë Demokratike, kryetarit Basha fitore të thellë ditën e dielë”.

Lulzim Basha i njohu dhe një herë qytetarët e Elbasanit me planin e tij ekonomik, për uljen e taksave, për rritjen e pensioneve, për mbështetjen e fermerëve me subvensione të drejtpërdrejta, për stazhet e paguara për të diplomuarit, për shkollat me model europian, që ofrojnë mësim e kurse deri në orën 16.00 dhe drekë të paguar nga shteti.

Basha tha se plani ekonomik është i kombinuar me masa që do rrisin prodhimin e konsumin, që krijojnë vende pune. Plan ekonomik, që është e vetmja ofertë në këto zgjedhje.​

Të fundit