Basha në Kuvend flet për samitin franko-gjerman: Shqiptarët morën lajmin e keq për negociatat

Kreu i Partisë Demokrate, Lulzim Basha ka deklaruar në Kuvend se Gjermania ka konfirmuar lajmin e keq për shqiptarët se është kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Basha theksoi se pas samitit franko-gjerman, ku morën pjesë kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron, dy partitë kryesore në Gjermani, CDU dhe SPD kanë dalë me një qëndrim të përbashkët kundër negociatave me vendin tonë.

Sipas kreut të opozitës, shkak për këtë vendim të Berlinit është bërë dështimi i kryeministrit Edi Rama në realizimin e detyrave të përcaktuara nga Brukseli.

“Kristian-demokratët dhe social-demokratët kanë rakorduar qëndrimet e tyre sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë. Ashtu si Edi Rama e di fare mirë, lajmi nga ky rakordim është më i keqi që shqiptarët mund të prisnin. Është një lajm që shqiptarët nuk e meritojnë, por është verdikti gjerman. Vendimi i tyre është se Edi Rama ka gënjyer, se Shqipëria nuk i ka realizuar detyrat për hapjen e negociatave. Për herë të parë Shqipërisë nuk i vendosen vetëm kushte, por edhe proces kontrolli që dëshmon mosbesueshmërinë e raportimeve të Edi Ramës. Shqipëria mbahet peng nga kryeministri”, tha Basha.

Basha nuk e kishte përfunduar ende fjalën e tij, kur iu mbyll mikrofoni në foltore, duke shkaktuar sërish debate midis opozitës dhe mazhorancës. Pasi kreu i PD refuzoi disa herë kërkesën për t’u larguar nga foltorja, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi vendosi të ndërpresë për 10 minuta seancën.