Basha nga Lezha i përgjigjet Ramës, ndërhyn qytetari nga salla

Kryetari i PD-së Lulzim Basha iu përgjigj Edi Ramës sa i përket ndikimit në turizëm të protestave, kuu takua me anëtarët e rinj që i janë bashkuar kësaj force politike.

“Protestat e opozitës nuk kanë ndikuar në numrin e turistëve që kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë”, u shpreh Edi Rama dy ditë më parë në Lezhë ku bashkë me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi prezantuan kalendarin e festave lokale.

Po nga Lezha, sot Basha u shpreh se “furitë e propagandës më të shfrenuar dëgjohen nga mëngjesi në darkë se Shqipëria nuk ka asnjë problem, madje edhe shqiptarët e ngritur në protestë janë ftesë për turistët. E kuptoni deri ku shkon çoroditja”.

Ndërsa një qytetar ndërhyri nga salla duke thënë “Ramës i ka ik truni”.

“I ka ik truri komplet. Pse? Sepse nuk po i funksionon më instrumenti kryesor më të cilën ka marrë pushtetin, shkurajimi i njerëzeve, t’i heqë shpresën, të thotë se nuk ka më mirë se ky sharlatan, të ofrojë një spektakël bajat në mediat e blera”, tha më tej kryedemokrati.

Sipas Bashës, Rama ka humbur bastin për frikësimin e njerëzve.

“Basti i tij ka qenë frikësimi i njerëzve, kush del mbron të drejtat e tyre, janë shpellarë, studentët në protestë janë ngelës, sipërmarrësit janë njerëz që nuk meritojnë të dëgjohen. Shkurajimi i shqiptarëve ka qenë formula mbi të cilin është ndërtuar bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin. Por basti i Ramës për të shkurajuar shqiptarët, humbi. Plot 11 javë më parë, më 16 shkurt ditën e nisjes së lëvizjes demokratike popullore. Për t’i dhënë fund asgjësimit të sovranit me parlament,me  drejtësi e ekonomi falso. Kjo ëndërr e Ramës u thërrmua nga bashkimi popullor i 16 shkurtit. Ne iu bindëm verdiktit të popullit pasi shteruam cdo mundësi për të korrigjuar nga brenda këtë sistem të kalbur”, tha kryedemokrati.