Basha: Nuk do ketë marrëveshje PS-PD, nuk ka kthim pas për ne

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e bëri të qartë se kriza që ka kapur Shqipërinë nuk do të zgjidhet me një marrëveshje mes partisë së tij dhe asaj socialiste.

“Kjo krize nuk mbyllet me pazar mes PS-PD, siç po flasin mercenarët e Ramës. Kriza zgjidhet me parime. Parimi i parë, është fundi i pandëshkueshmërisë i atyre që kanë vjedhur votat. Për këtë duhet drejtësi e pavarur, por drejtësi me Ramën kryeministër nuk ka për të pasur. 30 qershori është dërrmimi më i madh politik dhe moral i ndonjë pushteti në këto 30 vjet. U faktua ajo që ne paralajmëruam: Është varreza politike e Edi Ramës. “, tha Basha.

Ai e bëri të qartë se nuk ka kthim pas në rrugën që opozita është futur.

“Duhet të jemi të qartë në mesazhet tona: Nuk ka kthim pas. Nuk ka ulje në tavolinë me Edi Ramën, me njeriun që vjedh zgjedhjet. Zgjedhje të lira me Edi Ramën nuk ka. Synimi ynë është largimi i tij, është qeveria tranzitore, është krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme.

Do të vazhdojmë aksionin politik, do të vazhdojmë protestat.

Është koha të bëhemi gati që përveç protestës, të shpalosim bashke me njerëzit alternativën, që shumicën Rama ik, shumicën që kërkon ndryshim ta kthejmë në një mazhorance politike dhe qeverisëse.’, përfundoi Basha.