Basha nuk pranon Ramën në “trenin e ndryshimeve”: Ka vend vetëm për shqiptarët e ndershëm

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar sot mitingun në Kavajë, ku i ka dhënë mbështetjen kandidatit demokrat për bashkinë, Isa Sakja.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, Basha theksoi se dallga e fitores është ngritur në të gjithë Shqipërinë dhe qytetarët do të refuzojnë me votë njeriun përgjegjës për gjendjen ku ndodhet sot vendi.

Basha tha se Rama po përpiqet që t’i ngjitet nga pas trenit të ndryshimeve, por aty ka vend vetëm për shqiptarët e ndershëm.

“Më 25 qershor ju do të shembni tullën e fundit të Republikës së Vjetër. Dallga e fitores është ngritur nga Gjirokastra dhe Saranda, nga Berati dhe Lushnja ku isha dje. Nga lindja dhe perëndimi shqiptarët janë ngritur për një qëllim, për të refuzuar krimin në pushtet. Të refuzojnë me votë njeriun që është përgjegjës për këtë gjendje të Kavajës dhe të gjithë Shqipërisë.

Të bashkohemi rreth një projekti që është për qytetarët, për ekonominë tuaj dhe për një të nesërme të sigurtë.

Kavaja i priu ndryshimit të madh të lirisë dhe demokracisë, kështu do të ndodhë edhe këtë verë.

Njësoj si në Kavajë, anë e mbanë Shqipërisë njerëzit mezi po presin të largojnë me votë qeverinë e dështuar të Edi Ramës. Shqiptarët po bashkohen për të mbështetur të vetmin plan ekonomik, planin e Partisë Demokratike.

Edi Rama e di se në këtë zgjedhje shqiptarët do ta marrin vendimin për veten e tyre. Ai e di se ky bashkim është i pathyeshëm dhe po mundohet t’i ngjitet nga pas trenit të ndryshimeve të mëdha, por te ky tren nuk ka vend për kriminelët dhe të korruptuarit, por vetëm për shqiptarët e ndershëm”, deklaroi kreu i opozitës.