Flash News

KRYESORE

Basha paska patur 'derr listash'

Basha paska patur 'derr listash'

Alfred Lela

Ka një gëzim dhe guxim, amatoresk në rrafshin politik dhe mediokër në rrafshin e intrigës, për të hartuar e firmosur lista të cilat, në pamje të parë, duken si kundër Lulzim Bashës. Ato vijnë me shijen e thartë dhe luftarake të fletërrufeve të 'kolektivave punonjës' të dikushëm. Bëhen të tilla sidomos tani, kur janë futur në fazën e dytë të jetës: Listat e qendrës janë bërë lista periferie.

Fakti se listat janë kundër Bashës nuk ka rëndësi. Se ato janë kundërproduktive për procesin dhe kundravajtëse për statutin e partisë, po. Procesi tashmë është futur në hulli dhe këtë e shpjegojnë ata që janë bërë pjesë e tij, dhe jo ata që kanë zgjedhur të rrinë jashtë. Pretendimet për dorëheqje në vend të ngrirjes, shtyrje në vend caktimit të datës, paragjykim në vend të alternativave, vetëm sa ngathtësojnë kohën e reflektimit, dhe u heqin kritizerëve logjikën e kritikës.

Pasi 'topat e mëdhenj' të Tiranës u delegjitimuan në përpjekjet e tyre për të 'demontuar' kryetarin 'e ngrirë' dhe procesin e zgjedhjeve në PD, aksioni u shtri te influencat lokale. Dje, pas një takimi të Bashës dhe Selamit në Korçë gjatë fundjavës, qarkulloi një listë tjetër me firma e cila përsëriste të njëjtën kërkesë. 

Sa për kujtesë, Korça është 'zona e influencës' së një 'disa herë ministri' në qeveritë e Partisë Demokratike, dhe një prej kritikëve të lidershipit të Bashës. Ai nuk ka shfaqur ambicje për t'u futur në garë, por u bë qartësisht pjesë e bllokut të ish-ministrave dhe ish-hierarakëve të lartë të Partisë Demokratike.

'Peticioni i Korçës' u përgënjeshtrua zyrtarisht nga PD lokale, e cila me anë të një deklarate për shtyp njoftoi se nuk ka kaluar asnjë veprim nëpërmjet strukturave legale të partisë. Gjithashtu, në komunikatën për shtyp thuhej se njerëzit janë futur në lista pa u pyetur, dhe se emrat janë mbledhur 'telefon më telefon'.

Rebele u tregua edhe Vlora. Por, si një qytet që gjithmonë e tepron, këtë bëri edhe kësaj here. Deputetja e Vlorës, Nada Meçorapaj i tha Politiko.al se 3-4 të afërm të saj e kanë marrë të alarmuar, për faktin se emrat e tyre gjendeshin në listë, dhe nuk i kishte pyetur askush. Rreth 5 të tjerë jetojnë jashtë, sipas deputetes. Me sa duket, nga peticioni i Vlorës do të rrjedhin thagma të tjera.

Ajo që i bashkon peticionet është kapur edhe nga Kreshnik Çollaku, një prej funksionarëve në PD-në  e re të Bashës, i cili megjithatë, ka qenë kritik ndaj shefit të tij. Ai shkruante se loja me lista e peticione nuk shërben si analizë, në mos bëhet për një projekt tjetër.

Një shenjë tjetër i bën peticionet të duken të çuditshme, në më të paktën. Ato takohen diku në ngjashmëri me aktet terroriste, të cilave akush nuk u del për zot. Një sy i vëmendshëm i tha autorit të këtyre radhëve se, pas listave qëndrojnë 'masa gri të antarësisë' pa asnjë adresë të saktë. Ka shumë emra, por asnjë zëdhënës. Të gjithë janë të panjohur.

Peticionet janë, në njëfarë mënyre, apo më saktë në mënyrën me të cilën bëhen, një ftesë për kaos dhe gjullurdi. Pas ankesës se ka një disorganizim në PD, vjen ftesa për ta shtyrë më tej këtë rrëmujë duke e kthyer në një gjendje të llojit 'këtu se merr vesh qeni të zonë'.

Dy qëllime fshehin ata që në prapaskenë prodhojnë peticione: gjasën e një projekti tjetër politik, i cili synon të marrë pakënaqësi dhe antarësi nga mitra e Partisë Demoklratike; apo një dashakeqësi pa projeksion politik, që synon të dobësojë PD, dhe ta shohë edhe më të gjunjëzuar.

Kjo e fundit për një thjesht schadenfreude.

Listat, megjithatë, janë duke shkuar kundër frymëzuesve dhe përgatitësve të tyre. Me duart e tyre ata po heqin tulla nga 'muri i mosbesimit' për listat e kandidatëve për deputetë të përzgjedhur nga Basha.

Profilet e listave anti-Basha i bëjnë atentat pretendimit se 'Lista Basha' paskërka qenë e patolerueshme dhe sjellëse e të gjitha fatkeqësive në PD-në e dekadës së fundit.

Të fundit