Basha për ‘Toyota Yaris’: U dhashë më shumë informacione prokurorëve belg, Balla duhet të ishte në burg

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe në një prononcim për mediat tha se ka dhënë informacione të plota mbi çështjen ‘Toyota Yaris’.

Në lidhje me dëshminë e tij, ai u shpreh se i ka qëndruar besnik asaj që ka thënë tashmë në publik, por ka dhënë më shumë se aq, duke shtuar se Taulant Balla duhet të ishte në burg sot.

“Dhashë info të plota për ceshtjen e toyota Yaris , edhe më shumë se ajo që kam dhënë në publik. Balla duhet të ishte në pranga sot”, tha Basha.

Më tej, Basha tha se problemi numër një i Shqipërisë sot është pastrimi i parave të krimit dhe drogës. Sipas tij, ky është një problem ekonomik, politik dhe social.

“Skema e pastrimit të parave është i vetmi aktivitet ekonomik sot në Shqipëri”, u shpreh Basha.

Ai deklaroi për mediat se qeveria e Ramës është kthyer në shërbëtorin e pastrimit të drogës.

“Çdo gjë që po kryhet sot është në shërbim të pastrimit të parave. Konçesionet, tenderat, ndërtimet mbi truallin publik po bëhet për pastrimin e parave të pista të krimit. Synimi kryesor i Ramës është që me bashkëpunimin me krimin e organizuar të akumulojë sa më shumë para e pushtet. Morali i vetëm i tij është grumbullimi dhe mbajtja e pasurive të shqiptarëve. Koncesioni i rrugës Milot Balldren, Unaza a Re, stadiumi i ri, Teatri Kombëtar janë pastrim parash”, deklaroi kryedemokrati.

Sipas tij, kjo skemë e ndjekur nga Rama është vrastare për ekonominë dhe një nga arsyet e papunësisë. Basha theksoi se PD e ka prioritet numër një luftën kundër pastrimit të parave të krimit.

“Do ta hetojmë kudo ku shfaqet si bashkëpunim me zyrtarët. Do sekuestrojmë paratë e pista si një nga shtyllat kryesore të platformës tonë për rikthimin e rritjes ekonomike”, tha kreu i PD-së në mbyllje të deklaratës së tij.