Basha publikon emrat: Këta janë peshkaqenët që Rama nuk i lëshon

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në fjalën e mbajtur pasditen e sotme në Kuvend akzuoi kryeministrin Edi Rama se është gjithmonë në krahun e kriminelëve dhe jo të ligjit.

Basha përmendi një sërë emrash duke theksuar se Rama nuk do që të largohen ata, ai thjesht po përpiqet të gjejë çdo manovër, shtoi kreu i opozitës, të mundshme për të mos ndryshuar fatin e tyre.

“Edi Rama është gjithmonë në krah të kriminelëve dhe jo të njerëzve të thjeshtë, është gjithmonë në anën e krimit dhe jo të ligjit.

Njerëzit e kanë provuar Ramën me dhjetëra herë. Prova e tij është Elvis Roshi. Prova e tij është Klement Balili. Prova e tij është Saimir Tahiri, Agron Xhafaj, dyshja Dako-Cela, Qazim Sejdini. Për të mos folur për Ilir Beqajn, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn.

Edi Rama nuk do që të largohen ata, ai thjesht po përpiqet të gjejë çdo hile, çdo manovër çdo truk të mundshëm për të mos ndryshuar fatin e Roshëve, Tahirëve, Dakove dhe natyrisht fatin e tij. “Të ndryshojmë çdo gjë për të mos ndryshuar asgjë”, siç thotë siciliani i famshëm”, theksoi Basha.