Flash News
Grupi parlamentar i PD dorëzon në Kuvend propozimin: Pensioni të rritet në 300 euro
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Basha 'që të gënjen edhe për orën', i shmanget 'peshkngrënësit' Meta. Pse?
Alfred Lela
Ilir Meta i ka 'bindur' ish-partinë e vet, LSI, dhe Agron Dukën e Agrares, që të regjistrohen në zgjedhjet e 13 tetorit. Partia Demokratike e Bashës nuk po e ndjek the unlucky 13 të Presidentit dhe kjo duket nuk i ka pëlqyer kreut të shtetit që ka bërë një thirrje të hapur dhe jo paqësore për forcën kryesore të opozitës.
13 tetori do të kishte vlerë vetëm nëse 30 qershori do të ishte i pavlerë, por kjo datë e kalendarit politik ka marrë bekimin e amerikanëve, derikur të shprehet Gjykata Kushtetuese. Matheë Palmer i ka lënë të varuara të gjitha shpresat e të gjitha palët te konfigurimi i kësaj gjykate supreme dhe angazhimi i saj me dekretin presidencial, që anulon 30 qershorin dhe fuqizon 13 tetorin.
Që PD të futet edhe njëherë në rrugë pa krye, në fund të njërës prej të cilave u dorëzua para 30 qershorit, do të ishte marrëzia e radhës dhe përdorim energjish për kauza të humbura. Vendi do të kthehej përfundimisht në fillesat e shtetit shqiptar, në vitet 20 të shekullit të shkuar, kur qeveri të krahinave, grupeve e orekseve të ndryshme politike pretendonin legjitimitet mbi një Shqipëri të ndarë copash.
Dekreti i Presidentit kishte vlerën e vet, politike edhe burrërore, atëherë kur e pati, pra si mjet për të ndaluar 30 qershorin. Sa kohë nuk ia arriti çdo vazhdim në përbetimin e tij, pa dëgjuar më parë Gjykatën, nuk është asgjë më shumë se karshillëk Meta-Rama.
Dyshja Basha-Meta nuk kanë vetëm këtë hendek mes tyre, megjithatë. Si një billboard në autostradë rri mbi siluetën e këtij raporti thënia e famshme e Metës për Bashën: ai të gënjen edhe për orën. Nën orën politike të të dyve kanë rrjedhur edhe mosbesime të tjera, që lidhen kryesisht me zgjedhjet parlamentare të katër vjetëve më parë. Atëherë Basha ishte i ngujuar në 'Çadrën e Lirisë', kurse Meta pak metra në të majtë, në zyrën e Kryesisë së Kuvendit si kryetar parlamenti. Meta i jepte shpresë shefit të opozitës në shatorre, duke i premtuar orën e një takimi në të cilin ai nuk erdhi kurrë. Kur opozita priste që ai t'i bashkohej Çadrës, Meta iu shtrua një darke peshku te Pazari i ri me kryeministrin Rama. U paratha një tjetër kontratë katër vjeçare PS-LSI, por ngjarjet, në vend të një përplasjeje prodhuan një pakt, pas këmbënguljes gjermano-amerikane.
Në një darkë pa peshk, në një zyrë shumë afër asaj të Metës në kryesi, pasi kishin përcjellë krerërt e partive të vogla që e kishin thirrur atë takim, Rama e Basha u mbyllën për orë të gjata në mister. Kur dolën ata të dy ishin in dhe Meta ishte out. Dyshja që po provonte një muaji mjalti vendosën shtyrjen e zgjedhjeve me vetëm 1 javë duke mos i dhënë kohë LSI të regjistrohej me parti të tjera në koalicion. Dukej se marrëveshja Rama-Basha ishte, ndër të tjera, edhe një coup de grace për Metën.
Rama triumfoi i vetëm, Meta mbijetoi dhe u bë President, kurse Basha u shënua si humbësi i madh.
Kjo traditë mosbesimi nuk mund të modernizohet lehtë. Sigurisht që, as Bashën dhe as Metën, nuk i pengojnë skrupujt për të hipur në varkën e të njëjtit fat, por ata shohin me skepticizëm kah oguret politike të secilit. Çfarë fati i pret? Çfarë fati e pret tjetrin?
Basha ka vendosur t'i rrijë larg Presidentit, edhe sipas një porosie të zbardhur nga RealStory, rimarrë nga Politiko.al. Psetë, që vetëm merren me mend, do të shpalosen gjatë muajve në vijim.