Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Basha: Shengeni Ballkanik lë përshtypjen sikur sfidon BE-në, Serbia flirton haptazi me Rusinë
Kryetari Lulzim Basha sqaroi se Partia Demokratike , si parti e qendrës së djathtë natyrshëm mbështet tregtinë dhe qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe krahut të punës, por nuk e shpjegon se përse duhet bërë e gjithë kjo kur ekziston marrëveshja e CEFTA-s.
Sipas tij, kjo është dëshmuar tashmë si model i suksesshëm për integrimin rajonal dhe përgatitjen e të gjitha vendeve të Evropës Qendrore e Lindore për integrimin në BE.
“Është papërgjegjshmëri dhe dështim i kësaj qeverie fakti që pikërisht gjatë vitit kur Shqipëria ka presidencën e CEFTA-s, në vend që ta konsolidojë këtë organizatë e të nxisë zgjerimin me vende të tjera që aspirojnë integrimin evropian si Ukraina apo Gjeorgjia, kjo qeveri po e saboton këtë organizatë duke shtyrë përpara një nisëm të re që e rivalizon dhe i mbivendoset.
Po kaq shqetësues është fakti se kjo nisëm u propozua pas refuzimit të BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, sepse lë përshtypjen e krijimit të një blloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian.”, shkroi Basha në Facebook.
Ai kujton se në tetor të këtij viti, Serbia nënshkroi në Moskë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euroazian të dominuar nga Rusia pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli se kjo marrëveshje nuk përputhet me kriteret e integrimit evropian.
“BE vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2014 mirëpo Serbia, megjithëse vend kandidat, refuzoi ti vendoste. Pavarësisht retorikës pro-perëndimore, gjatë viteve të fundit Serbia ka thelluar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë duke ndërmarrë manovra të përbashkëta dhe bërë blerje masive armatimi. Të gjitha këto veprime të Serbisë hedhin hije dyshimi mbi orientimin gjeopolitik të një blloku të ri shtetesh ballkanike ku shteti më i fuqishëm që shërben si lokomotivë e kësaj nisme, flirton haptazi me Rusinë dhe nuk e ka të sinqertë orientimin drejt perëndimit.
Kjo nisëm ka hasur në hezitim jo vetëm prej Kosovës por edhe prej dy vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina çka dëshmon se kjo iniciativë rajonale me pjesëmarrje të gjymtuar i ka gjasat e mëdha që të dështojë pa u formuar mirë.”
Basha mendon se këto takime të liderëve janë propagandë që synon të largojë vëmendjen nga dështimi me hapjen e negociatave si dhe nga keq-qeverisja socialiste që po shkakton gjithmonë e më shumë kosto tek çdo qytetar.
“ Shqipëria nuk meriton të penalizohet për dështimet, abuzimet dhe paaftësitë e kësaj qeverie që kanë çuar në errësimin e perspektivës evropiane për shqiptarët.
Ne besojmë se Shqipëria nuk duhet të pranojë një ofertë alternative degraduese të integrimit por duhet të vazhdojë të synojë që të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.
Shqipëria dhe shqiptarët e kanë të gjithë potencialin e duhur për të arritur kriteret e kërkuara. Dhe ne jemi të bindur se vetëm rotacioni politik dhe krijimi i një qeverie të re do ta çlirojë këtë potencial europianizues dhe do ti hapë rrugë anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.”