Flash News

KRYESORE

Basha takon presidentin parlamentar të Austrisë, zbardhet diskutimi mes tyre

Basha takon presidentin parlamentar të Austrisë, zbardhet diskutimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë.

Kryetari i Opozitës i shprehu Presidentit Sobotka besimin se Austria do të luajë një rol aktiv mbështetës për hapjen e negociatave me Shqipërinë gjatë presidencës Kroate.

Gjatë takimit, Presidenti Sobotka shprehu interes dhe u informua lidhur me qendrimet e Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar përsa i përket situatës së krizës politike e institucionale në Shqipëri, perspektivës europiane të vendit, reformës zgjedhore, reformës në drejtësi, gjendjes së shtypit të lirë, si dhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i PD i prezantoi Presidentit Sobotka shqetësimet e opozitës lidhur me mungesën e demokracisë funksionale në vend, kapjen e shtetit, mosfuksionimin e institucioneve, mungesën e organizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, rënien ekonomike, shpopullimin e Shqipërisë, si dhe bllokimin e procesit të integrimit europian të vendit.

Kryetari Basha dhe Kryeparlamentari Austriak patën dakordësi se udhërrëfyesi më i mirë për daljen nga kriza e thellë politike e institucionale që po kalon vendi, por edhe për të zhbllokuar rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, është zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut.

Presidenti Sobotka shprehu bindjen se reforma zgjedhore dhe organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë themelore për gjendjen që po kalon vendi, si dhe për perspektivën e mëtejshme. Ai e siguroi Kryetarin Basha për vëmendjen e tij dhe të Austrisë ndaj rolit dhe qëndrimeve të opozitës në Shqipëri.

Të fundit