Flash News

KRYESORE

Basha: Teatri Kombëtar dhe Astiri, monumente të qëndresës dhe solidaritetit

Lideri demokrat Lulzim Basha ka qenë i pranishëm në ambjentet e Teatrit Kombëtar, ku ka takuar pjestarë të Aleancës për mbrojtjen e teatrit.

Në fjalën e tij Basha është shprehur se Teatri Kombëtar dhe Astiri janë monumente të qëndresës dhe solidariteti.

Ai nënvizoi se teatri që u tha se do të rrëzohej i rezistoi tërmetit por “për fat të keq tërmeti i babëzisë dhe korrupsionit ka rrëzuar shtetin prej kartoni”.

“E para që dua t’ju them është se keni një meritë të jashtëzakonshme: Ju e nxorët mbretin lakuriq!Tha që Teatrin do ta rrëzojë tërmeti.  Tërmeti i korrupsionit, i babëzisë; ja ku është Teatri.

E dyta që dua t’ju them është që, për fat të keq, tërmeti i babëzisë, i korrupsionit dhe hajdutërisë, e ka rrëzuar shtetin prej kartoni. Unë po vij nga një fshat 90% e shtëpive të të cilit janë të shkatërruara.

I kam lënë banorët nën qese, me fëmijët nën qese, dhe nuk ka shkuar askush t’i shohë. Pa çadra, pa ushqim, pa kujdes, pa asnjë orientim nga shteti i kartonit që ka rrëzuar tërmeti i babëzisë dhe korrupsionit. Jo tërmeti natyror se atij nuk ke çfarë t’i bësh, por ai i korrupsionit dhe babëzisë ka shkatërruar një shtet të tërë. E pamë sesi i la efektivat tanë duke gërmuar me duart e zhveshura për të shpëtuar jetë, apo si i ka lënë njerëzit në mëshirë të fatit.

Ky është tërmeti i babëzisë, që Teatrin nuk e rrëzoi dot, por për fat të keq, na ka rrëzuar shtetin dhe ka treguar se kemi një shtet prej kartoni.

Kam një keqardhje të madhe edhe si prind, si qytetar, edhe si politikan, kur shoh ata njerëz që i kemi lënë ashtu, i kemi tradhëtuar dhe i kemi lënë në dorë të korrupsionit e të babëzisë.

E treta që dua t’ju them është që ju, Teatri Kombëtar dhe Astiri jeni dy monumentet e rezistencës dhe solidaritetit. Nuk jua them këtë për t’ju dhënë thjesht forcë e kurajo, sepse ju, me këto ndihma që keni mbledhur e që kanë shkuar kudo, në çdo vend, i keni dhënë forcë e kurajo të gjithëve. Por jua them për një arsye fare të thjeshtë. Me gjithë atë presion, sulme, sharje, fyerje , arrestime, goditje që ju kanë bërë ju dhe atyre të Astirit, prapë se prapë, në një ditë të zezë të vendit, treguat sa të madhe e keni zemrën dhe ditët t’i qëndroni afër çdo shqiptari në nevojë”, tha ndër të tjera Basha.

Të fundit