Flash News

KRYESORE

Basha 'Unchained': shpall Politiko.al ‘media mercenare’ të Ramës

Basha 'Unchained': shpall Politiko.al ‘media mercenare’

Në një qarkore që është botuar së pari nga gazeta afër opozitës, MAPO, Basha u ka dhënë udhëzime funksionarëve të PD në lidhje me mediat dhe gazetarët ‘armiq’ apo ‘mercenarë’. Pasi etiketon Top Channel, Klan, Vizon Plus, Report TV e të tjerë, si të blerë nga Rama dhe kundërshtarë të opozitës, ai sulmon dretpërdrjet me emra gazetarët Skënder Minxhozi e Mero Baze duke i shtuar kësaj dysheje ‘këshilltarësh” të Ramës edhe Sokol Ballën dhe emisionin e portalin e tij Real Story.

Në një prej pikave të qarkores ai përmend edhe një ‘portal dikur afër opozitës’, por që tashmë ka ndërruar krah:

“Kjo strategji antiopozitare përfshin portalet e njohur në publik për qëndrimet kritike ndaj Qeverisë dhe që, deri para pak muajsh, në linjën e tyre editoriale ishin në përkrahje të plotë të vendimeve të Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj. Strategjia e financimit të këtyre portaleve nga Edi Rama bëhet me kushtin që ato të ruajnë dukjen kritike të Qeverisë- për të krijuar perceptimin e gabuar të një portal opozitar- dhe të shtojnë akuzat, lajmet e rreme, gjysëm të vërtetat dhe mashtrimet kundër Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, duke sajuar “probleme” apo duke bërë pseudo-analiza me fakte të shtrembëruara. Qëllimi është për të goditur dhe ulur besueshmërinë e Partisë Demokratike, në mënyrë që të krijojnë perceptimin e gabuar se “të gjithë janë njësoj”.

Portali i vetëm afër opozitës që ka ndryshuar qëndrim gjatë muajve të fundit është Politiko.al. Basha e ka të saktë qëmtimin, por thotë një gjysmë të vërtetë. Politiko ka ruajtur të njëjtën hapje dhe mbështetje për opozitën, por i ka hequr mbështetjen kryetarit të saj, Bashës. Këtë e ka bërë kryesisht nëpërmjet editorialeve të firmosura nga drejtori Alfred Lela. Pjesa tjetër e lidershipit dhe funksionarëve të PD kanë gëzuar të njëjtin mbulim dhe përkrahje si përherë. Rama dhe qeveria e tij janë kritikuar me të njëjtën forcë si përherë.

Politiko.al do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë: të mbështesë opozitën dhe të kritikojë qeverinë.

Nëse z. Basha kërkon të identifikohet me të gjithë opozitën dhe çdo kritike për të e quan ‘kundër opozitës’ dhe mercenarizëm për Ramën, ky është qëndrimi i tij dhe e drejta e tij për ta mbajtur këtë qëndrim.

 

 

 

 

Të fundit