Flash News

KRYESORE

Basha viziton banorët e lënduar te Trauma: Dhuna ishte e planifikuar për të fshehur vjedhjen e madhe

Basha viziton banorët e lënduar te Trauma: Dhuna ishte e planifikuar

Kreu i PD, Lulzim Basha ka vizituar banorët që mbetën të lënduar pas përplasjeve me policinë këtë mëngjes në zonën e Astirit, në sajë të projektit për Unazën e Re.

Sipas Bashës, në një prononcim për mediat, gjendja e të lënduarve nuk është e mirë dhe se ky sulm ndaj tyre ishte i planifikuar nga kryeministri Rama.

“Gjendja e të plagosurve mbetet e rëndë, janë dhunuar në mënyrë barbare, ka edhe të moshuar nga dhuna me shkopinj e grushte, gratë me gaz lotsjellës.

Një pjesë janë të shtruar, disa kanë dalë. Janë lënduar edhe 5 efektivë policie. Është një bilanc i një goditje të planifikuar nga Rama, ndaj qytetarëve që mbronin shtëpitë e tyre, për të fshehur vjedhjen e madhe që Rama dhe Veliaj kanë planifikuar në të ashtuquajtur Unazën e Re.

Nuk ka të bëjë me një rrugë të re, ishte projekt vjedhje i denoncuar nga PD me kompani fantazmë. Rama i vendosur ta çojë vjedhjen deri në fund, dhe për këtë nuk kursen jetën e qytetarëve. Ky është akt kriminal kundër banesave të këtyre qytetarëve”, u shpreh Basha.

Kreu i PD ka paralajmëruar se personat përgjegjës do të përgjigjen para ligjit, sepse pas projektit për rrugën e Unazës së Re fshihet një projekt korruptiv.

“Paralajmëroj secilin përgjegjës, nga urdhrat e Ramës e Veliajt, ekzekutorët, se do mbajnë përgjegjësi para ligjit. Dita nuk do vonojë, dhe ata do përgjigjen para ligjit për këtë dhunë barbare, për të mbushur xhepat e tyre me 40 mln euro korrupsion.

U bëj thirrje qytetarëve dhe policëve të ndershëm të mos bien pre e skenarit që synon të zhvendosë vëmendjen nga vjedhja te dhuna që ka planifikuar te banorët e Unazës.

Jemi zotuar se çdo cm do kompensohet me vlerën e tregut me ardhjen e PD në pushtet. Nuk do i gëzojnë qindarkat e kësaj grabitje, por do japin përgjegjësi para ligjit”, u shpreh kreu i PD.

I pyetur nëse u pengua për të takuar të lënduarit te spitali i Traumës, Basha tha se: “Fillimisht, mora informacion se mund të ishte i vështirë takimi i tyre dhe pasi dërguam paralajmërime të qarta se nuk mund të pengojnë askënd e aq më pak përfaqësuesit politikë dhe kreun e opozitës , erdha dhe i takova lirisht”.

Të fundit