Flash News

KRYESORE

Basha zbulon skemën e Ramës: Kërkon ta paraqesë krizën si diçka normale

Basha zbulon skemën e Ramës: Kërkon ta paraqesë krizën

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka zbuluar skemën e Edi Ramës për të harruar skandalin e vjedhjes së zgjedhjeve. Ai tha se qëllimi i qeverisë është që ta paraqesë situatën si normalitet, që të harrohet.

“Prej disa ditësh në hapësirën publike shqiptare po zhvillohet një fushatë agresive nga Edi Rama dhe makineria e tij prej miliona eurosh e propagandës për të shpërqendruar opinionin publik dhe mbuluar krimet e rënda që kanë ndodhur në bashkëpunim mes qeverisë dhe Partisë Socialiste, dhe krimit të organizuar.

Kjo propagandë është një kopje e parimeve dhe metodave të propagandës naziste për të justifikuar krimet shtetërore.

Qëllimi i parë i propagandës është mohimi në mënyrë flagrante se në Dibër dhe në Durrës kanë ndodhur krime, duke e paraqitur marrëdhënien dhe bashkëpunimin krim-politik si marrëdhënie të pafajshme, pa qëllime kriminale.”, tha Basha në konferencë për shtyp.

Ai shtoi se një linjë tjetër e propagandës kriminale qeveritare dhe mercenarëve të tyre është relativizimi i krimeve që kanë ndodhur.

“Përmes pretendimit se vjedhja e zgjedhjeve nuk është gjë në lidhje me krimet e tjera të politikës. Si pjesë e kësaj strategjie sulmohet opozita, deri edhe me akuza të montuara politike, që qytetarët të mendojnë se janë të gjithë njësoj dhe marrëdhënia mes vrasësve dhe trafikantëve me qeveritarët nuk është ndonjë tmerr i madh.

Qëllimi tjetër i propagandës me frymëzim gëbelsian të qeverisë është paraqitja e situatës si normale. Ka një përpjekje për ta trajtuar vjedhjen e zgjedhjeve si diçka të zakonshme, si dicka normale, me shpresë që do kalojë dhe do harrohet.

Këto teza i përhapin vetë njerëzit e përfshirë në krim dhe të gjitha levat e tyre në media dhe në jetën publike.”, vazhdoi ai.

Kreu i PD ka falënderuar pjesëmarrësit në protestë të cilët kanë treguar shembull qytetarie dhe se duan një qeveri që buron nga vota e lirë

“Dua të shpreh mirënjohje dhe respekt për të gjithë ju që morët pjesë dje në manifestimin e jashtëzakonshëm qytetar kundër regjimit të Edi Ramës.

Ishim të gjithë shembull i qytetarëve të përgjegjshëm dhe i kurajës për të patur një qeveri që buron nga vullneti i njerëzve dhe qeveris në interes të njerëzve. Dua të falënderoj mijëra shqiptarë në Shqipëri, dhe bashkatdhetarët që jetojnë kudo në botë për mesazhet e mbështetjes që më kanë dërguar dhe në emër të tyre ju përcjell bindjen se përpjekja jonë është jo vetëm me rëndësi kombëtare, por ka edhe mbështetje kombëtare.”, tha Basha në konferencë për shtyp.

Të fundit