Bashkë me Podgoricën e Sarajevën, Vuçiç fton edhe Prishtinën në mini-Shengenin Ballkanik

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë Forumit të Davosit për Dialogun Strategjik mbi Ballkanin Perëndimor ftoi  Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnie-Hercegovinën në Mini-Shengenin Ballkanik.

“Disa do të thonë që Serbia po e përdor këtë sepse nuk dëshiron ta shohë Prishtinën në atë grup, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Është shumë e rëndësishme për ne dhe duam të shohim si Prishtinën, ashtu edhe Podgoricën e Sarajevën në atë iniciativë, por vendimi varet nga ata”, tha Vuçiç, raporton media serbe B92.

Ai përmendi edhe faktin se shumë ‘zëra’ në BE  janë kundër ideve të reja.

“Por ky nuk është problemi im. Siç e thashë edhe më parë, ne nuk jemi fëmijë, ne duam të kujdesemi për veten. Ne jemi në rrugën tonë drejt BE, thoni atë që dëshironi me ne, por duhet të sigurojmë qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve,” përfundoi Vuçiç.

Mini-shengeni ballkanik është një ide e hedhur nga tre liderët e Ballkanit, Rama, Zaev dhe Vuçiç për shkëmbim të lirë të mallrave, shërbimeve dhe lëvizje të njerëzve.