Flash News

KRYESORE

Bashkëpunim i heshtur mes pushtetit serb dhe djathtistëve ekstremë

Bashkëpunim i heshtur mes pushtetit serb dhe djathtistëve

Serbia mund të futet në probleme serioze nëse nuk ndalon në mënyrë efikase veprimtarinë e organizatave të djathta ekstreme, tha për Radion „Europa e Lirë“ (REL), Aleksandra Bosniç Gjuric, nga Qendra për Komunikim Ndërkulturor në Novi Sad- CINK.

„Nëse do të jemi të butë, do t’i lejojmë ata të bëjnë çfarë të duan, ose mund të mendojmë në mënyrë të thjeshtëzuar se ato se janë vetëm disa matrica ideologjike të rikonstruktuara të nacionalizmit dhe kjo është një fushë e ndonjëfarë mosmarrëveshje, mund të ndodhë që lehtësisht të hyjmë në zonën e konfliktit me të gjithë fqinjët tanë në rajon. Pra, mund të kemi një situatë absolutisht të keqe politike dhe kulturologjike“- tha për REL-in, kulturologia Aleksandra Bosniç Gjuriç.

Me përpjeket e tyre që me datë 29 dhe 30 maj të pengojnë mbajtjen e festivalit kulturor serbo-shqiptar „Mirdita-Dobar Dan“, e cili mbahet për të gjashtin vit me radhë në Beograd, pjestarët e organizatave djathtiste dhe të të ashtuquajturve grupime tifozësh, sipas mendimit të bashkëbiseduesve të REL-it, treguan se në Serbi ata veprojnë në mënyrë të vazhdueshme sepse aksione të ngjashme ka patur edhe në vitin 2000.

Aleksandra Bosniç Gjuriç mendon se, pas nacionalizmit të viteve nëntëdhjetë, këto grupime po kthehen me një forcë të rinovuar.

„Mendoj se ata, nënjëfarë mënyre, janë lejuar të bëjnë atë që bënë. Këto dukuri dhe ngjarje kërkojnë një analizë të thellë, se kush dhe përse i lëshon, dhe kush i pengon me të vërtetë, dhe nëse vërtetë veprimtaria e tyre është penguar atëherë kur neve qytetarëve na thuhej se është bërë një gjë e tillë. Nëse ekziston me të vërtetë vullneti politik, ata mund të neutralizohen. Kjo gjithashtu duhet sanksionuar sepse bëhet fjalë për dukuri anticivilizuese“, nënvizon Bosniç-Gjuriç.

Veprimtaria e këtyre organizatave, vlerësojnë bëshkëbiseduesit e REL-it, është e lidhur ngushtë me ngjarjet politike, njëra nga të cilat ishte protesta e 21 shkurtit të vitit 2008, me sloganin „Kosova është Serbi“, kohë në të cilën, pas shpalljes së pavarësisë, demonstruesit dogjën ambasadën e Sheteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd ku edhe vdiq një prej pjesëmarrësve në protesta dhe iu vu zjarri xhamisë së vetme të Beogradit. Në janar të vitit 2019, Gjykata e Apelit në Beograd ua hoqi dënimin me kusht të dyshurave për djegien e ambasadës së SHBA-ve.

Ivan Gjuriçi, Drejtori i Programacionit të Iniciativës „Të rinjtë për të drejtat e njeriut“, thotë se nuk mund të pritet sjellje e ndryshme nga ana e djathtistëve ekstremë po të kemi parasysh sjelljen e një pjese të shoqërisë.

„Nëse disa parti politike kërkojnë që të ndalohet festivali, si mund të jenë atëherë tifozët pjesa më progresive e shoqërisë tonë? Të jenë ata të parët që të heqin dorë nga sjellja e tyre tradicionale e 30 viteve të fundit. Nuk kanë për të ndryshuar të parët tifozët. Ata që duhet të ndryshojnë të parat duhet të jenë partitë politike“, mendon Gjuriçi.

Organizata „Kuvendi serb i të Përbetuarve“ (ose Zavetnici- Të përbetuarit. Shën. i përkthyesit) ka disa vite që kërkon hyrje formale në politikë duke kërkuar nënëshkrime për t'u regjistruar si parti politike. Të njëjtën gjë vite më parë kanë bërë edhe orientime të ngjashme djathtiste. Këtë organizatë politikologët e karakterizojnë si djathtiste dhe pjestarët e saj morën pjesë në protestën e fundit kundërfestivalit „Mirdita-Dobar dan“.

Për themelimin e një partie nevojiten 10.000 firma që më tej duhet të verifikohen nga organet republikane. E djathta në Serbi, në fillim të vitit 2018, kaloi nëpërmjet procesit të zmadhimit duke formuar „Të djathtën serbe“ e cila grumbullon 15 lëvizje të ngjashme, kryetar i së cilës është Misha Vasiçi, ish lideri i Lëvizjes së dikurshme djathtiste 1389, i cili në fund të vitit 2016 ka qenë i punësuar në Zyrën qeveritare serbe për Kosovën.

Aleksandra Bosniç mendon se institucionalizimi i organizatave të tilla nuk është gjë e mirë.

„Me këtë atyre u sigurohet legjitimitet në mënyrë absolute. Te ata problemi është raporti mes programeve të tyre shoviniste dhe orientimeve ideologjikisht destruktive. Natyrisht problemi është edhe te ai regjim politik që i lejon ose ka krijuar një gjendje të tillë në të cilën ky lloj opsioni politik mund të merret seriozisht në shqyrtim“, vlerëson Bosniç Gjuriçi.

Ndër ngjarjet në Serbi të në cilat kanë marrë pjesë pjestarët e organizatave djathtiste dhe të ashtuquajturve grupime tifozësh në këto njëzet vitet e fundit janë edhe protestat kundër arrestimit dhe dorëzimit të të akuzuarve nga Gjykata e Hagës, demonstratat e dhunshme kundër paradës së përfaqësuesve të LGBT në Beograd, ndërprerjet e manifestimeve dhe tubimeve antifashiste, si dhe të disa ekspozitave artistike të autorëve nga rajoni. Festivali kultutor „Mirdita-Dobar Dan“ nuk ishte për herë të parë në qendër të demonstratave, sepse protestat kundër tij janë mbajtur edhe dy vitet e kaluara.

Shkumbin Tafilaj, artist nga Kosova i cili është pjesmarrës i këtij festivali, tha për REL-in se edhe përkundër këtyre incidenteve ai ndjehet mirë në Beograd.

„Për mua këto protesta janë diçka krejt periferike sepse shumica e njerëzve nuk ishte pjesë e grupit që protestoi. Mendoj se vetëm njerëzit që nuk e kanë gjetur vetveten mund të reagojnë në këtë mënyrë kundër festivalit që promovon artin dhe vlerat pozitive“, konkludon Tafilaj.

Pjesmarrësit e festivalit „Mirdita – Dobar Dan“ falenderuan publikisht Policinë e Serbisë për reagimin e saj efikas, duke penguar kështu demonstrantët të kërcënojnë pjesmarrësit dhe siguroi në mënyrë profesionale këtë tubim katërditor që përfundoi të shtunën me 1 qershor.

*Shkruan Zoran Gllavonjiç, Radio „Europa e lirë“ në gjuhën serbe. Datë 31 maj 2019. Përktheu: Xhelal Fejza

Zoran Glavonjiç Karrierën e gazetarit e ka filluar në vitin 1995, në redaksinë informative të Televizionit beogradas Studoi B. Ka punuar edhe për gazetën e Beogradit „Dnevni Telegraf“ dhe në të përditëshmen „Glas Javnosti“. Në REL punon që nga viti 2000.

Të fundit