Flash News

KRYESORE

Bashkim Dedja në ‘sitën’ e vettingut, merr për mbrojtje avokatin e çështjeve të ‘nxehta’

Pak minuta më parë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka nisur seanca dëgjimore për kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Trupa që do të gjykojë dosjen e tij do të përbëhet nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine.

Ajo që ra në sy është se Dedja nuk ishte prezent në seancë dhe u përfaqësua vetëm nga avokati i tij, Maks Haxhia.

Emri i tij nuk është i panjohur, pasi e shohim të marrë përsipër mbrojtjen e çështjeve të “nxehta.

Rasti më i fundit ishte ai i Saimir Tahirit, ish-ministrit të Brendshëm, i akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun ndërkombëtar të drogës me grupin e Habilajve.

Pak ditë më parë, me mbrojtjen e tij, Tahiri arriti të ndryshojë masën e sigurisë, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje.

Po ashtu, Haxhia ka marrë në dorë edhe çështjen e 613 kg kokainë e kapur në portin e Durrësit në fillim të këtij viti.

Ai ishte avokat i Donaldo Lushajt, i cili akuzohet si pritësi i drogës nga Kolumbia në kamionin me babanë.

Seanca dëgjimore po zhvillohet pa praninë e medias.

Të fundit