Flash News

KRYESORE

Bashkohen Saimir Mane dhe Shefqet Kastrati, blejnë kompaninë e rëndësishme

Bashkohen Saimir Mane dhe Shefqet Kastrati, blejnë kompaninë e

90% e aksioneve të shoqërisë së sigurimeve “INSIG Jetë” tashmë do të zotërohen nga dy sipërmarrës Samir Mane( 45%) dhe Shefqet Kastrati (45%), ndërsa 10% e aksioneve do t’i mbeten në pronësi shoqërisë Eurosig ( si aksionarja e vetme aktualisht). Eurosig bleu në maj të vitit 2016 dy licencat e INSIG, jetë dhe jo jetë, pasi fitoi tenderin e shpallur nga qeveria, që deri në atë kohë ishte pronare e INSIG.

Transaksioni i shitjes së Insig Jetë nuk është reflektuar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por lajmi është konfirmuar nga presidenti i shoqërisë Eurosig dhe Insig, Kadri Morina, i cili tha për “Monitor” se ka qenë interesi i këtyre dy sipërmarrësve për të diversifikuar portofolin e tyre të investimeve.

E ndërsa për Samir Manen, kreun e shoqërisë Balfin Group kjo është një iniciativë e re, për pronarin e shoqërisë Albsig, Shefqet Kastrati sigurimet janë një terren i njohur, pasi ai është aksioner i Albsig.

Sipas Morina futja e këtyre dy sipërmarrësve do t’i japë një frymëmarrje të re segmentit të Jetës, e cila ka një peshë të ulët në treg.

Në fund të muajit mars primet e shkruara bruto të sigurimit të Jetës zinin rreth 7.3% të totalit të tregut, duke i lënë Jo- Jetës rreth 92.6%.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në fillim të vitit deklaroi se 2017-a do të ishte një vit i rëndësishëm për tregun e sigurimeve pasi do të formalizohej ndarja e INSIG në jetë dhe jo – jetë.

Sipas të dhënave të AMF-së, në fund të tremujorit të parë Insig zotëronte rreth 7.7% të tregut të Jetës nga rreth 6.5% që kishte në periudhën janar – mars 2016. Aktori kryesor në tregun e jetës është Sigal Life me rreth 63% të tregut të primeve, i ndjekur nga Sicred, me rreth 30%. Tregu i jetës është i pazhvilluar në Shqipëri dhe në vitin 2016, të ardhurat nga primet në këtë segment ishin rreth 7 milionë euro, ose rreth 6.3% e gjithë tregut të sigurimeve (rreth 93% e zë tregu i jo-jetës), sipas të dhënave nga AMF.

Ndërsa në sigurimet e Jo – Jetës, INSIG në periudhën janar – masr 2017 çoi në rreth 7.2% zotërimet në treg nga rreth 5.8% që kishte një vit më parë. (Monitor)

Të fundit