Batuta e trajnerit të Kosovës: Sterling ndalet duke i thyer këmbën

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, e di mirë si fitohet vëmendja në konferenca për shtyp. Duket sikur ai ka lindur për të qenë një Mourinho i dytë me mënyrën se si iu kthen përgjigje gazetarëve.

Këtë e ka bërë edhe para ndeshjes me Anglinë në Prishtinë (e vlefshme për kualifikueset e Euro 2020), ku ka vlerësuar fillimisht rivalët për skuadrën e tyre cilësore. “Anglezët kanë fituar me rezultate 4-0, 5-0, 6-0 dhe 7-0. E pabesueshme”, u shpreh tekniku i Dardanëve.

I pyetur se si mund të ndalet Raheem Sterling, ylli i “Tre luanëve”, Challandes është përgjigjur me humor: “Fakti që do të luajë nuk është një lajm i mirë për ne. Ai është një nga më të mirët në botë në rolin e tij. Nëse i jep shumë hapësira, është e pamundur ta ndalësh. Nëse do të mund të bënim diçka, do t’ia thyenim këmbën, por ky nuk është stili ynë”.

Je me fat, Raheem. Kosova të ka qejf, kështu që luaj pa frikë me vëllezërit tanë. Meqë ra fjala, anësori i Manchester City-t ka patur një përplasje me bashkëpatriotin Joe Gomez, por kjo është temë tjetër.

Mendjen te ndeshja! Forca, Kosova!