Flash News

OP-ED

BE dështoi në ndërmjetësimin Serbi-Kosovë; tani do të jetë edhe më vështirë

BE dështoi në ndërmjetësimin Serbi-Kosovë; tani do

Augustin Palokaj /Jutarnji List

 

Ka tashmë tetë vite që po vazhdon i ashtuquajturi dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa marrëdhëniet mes këtyre shteteve kurrë nuk kanë qenë më pak normale sesa janë sot. Kjo duhet të jetë njëfarë kujtese për mossuksesin e BE-së si ndërmjetës në këtë dialog. Jo vetëm që BE- ja deri tani nuk e ka njohur mungesën e suksesit në këtë dialog, por madje e ka konsideruar si një prej sukseseve të politikës së saj të jashtme. Për këtë cinikët edhe thonë se nuk mund ta përfytyrojnë sesi BE-ja mund të mburret për çështjet e tjera të rëndësishme nëse dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është suksesi i saj më i madh.

Ky dialog filloi pasiqë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dha mendimin se me shpalljen e pavarësisë Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe as Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Kjo ishte një fitore e madhe juridike e Kosovës dhe e mbështetësve të pavarsisë të shtetit atëbotë të sapoformuar. Mendohej se me zgjidhjen e disa çështjeve teknike mund të ndodhte relaksimi në marrëdhëniet gjë që do të mundësonte pastaj edhe marrëveshjen që BE e quante dhe e quan „normalizimin gjithëpërfshirës i marrëdhënieve nëpërmjet një dokumenti juridiko-detyrues“, gjë që në praktikë do të thotë njohje e ndërsjelltë e të dy shteteve, por këtë BE-ja nuk mund ta vërë në letër pasi pesë shtete të saj nuk e njohin Kosovën akoma.

Në të vërtetë u bënë disa marrëveshje që edhe madje u implementuan. Shtetasit e Kosovës mund të kalojnë nëpërmjet territorit të Serbisë kur udhëtojnë në shtetet e tjera. Serbia jep kopje të librave të kadastrës. Kosova ka edhe numrin e saj ndërkombëtar telefonik. Por, Kosova vazhdon të jetë e ndarë, Veriu i Kosovës është vetëm formalisht pjesë e Kosovës ndërsa në fakt pushtetin atje e ushtron Serbia nëpërmjet filialeve të saj në Kosovë, zyrtare ose jozyrtare. Serbia kundërshton antarsimin e Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare. Madje ka ardhur puna edhe deri te dukuri të çuditshme kur Serbia u kërkon sportistëve të saj të mos luajnë kundër Kosovës ose ekipeve kosovare në disa sporte.

Nga ana tjetër, Kosova ka vënë tarifat doganore 100% për mallrat e eksportuara nga Serbia. Kjo në praktikë do të thotë se me taksa të tilla mallrat nga Serbia nuk kanë shanse të kalojnë në tregun kosovar. E njëjta masë vlen edhe për Bosnjë e Hercegovinën, e cila ka kundër Kosovës një qëndrim akoma më të ashpër sesa vetë Serbia. Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të BE-së dhe SHBA-ve, Kosova ende nuk i ka hequr këto sanksione.

Pasiqë BE-ja përjetoi mossukses në ndërmjetësim, Gjermania dhe Franca u bashkuan në përpjekjen për shpëtimin e dialogut dhe krijimin e kushteve për arritjen e ndonjëfarë marrëveshje. Gjermania në mënyrë të veçantë ishte kundër ndarjes së Kosovës ose të ndonjë zgjidhje tjetër që mund të sillte ndryshime kufijsh nëpërmjet shkëmbimit të territoreve. Franca, sëpaku nëse gjykohet nga deklaratat e diplomatëve të këtij shteti, ishte disi më fleksibël në këtë çështje.

Parisi nuk është në anën e Serbisë, sepse edhe gjatë vizitës në Beograd Presidenti francez Emanuel Makron përsëriti se Serbia dhe Kosova janë shtete sovrane. Por Parisi nuk i kundërshton aq fuqishëm idetë mbi ndryshimin e kufijve, sikurse bën Gjermania. Nëse Gjermania dhe Franca arrijnë të bindin Beogradin dhe Prishtinën për ndonjëfarë marrëveshje, me siguri që kjo marrëveshje do të duhet të kalojë nëpërmjet BE-së. Por shanset për këtë nuk është se janë të mëdha.

Momentalisht në Kosovë ka një kaos politik. Nuk dihet se kush vendos dhe flet në emër të Kosovës. Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i Kryeministrit, pasiqë Gjykata Speciale e thirri të dëshmojë me cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Por ai vazhdon të organizojë mbledhje qeverie, gjë që të tjerët e konsiderojnë shkelje të Kushtetutës, sepse ai nuk mund të jetë më as kryeministër në doreheqje. Ai e ka kundërshtuar fuqishëm idenë e ndryshimit të kufijve për të cilën flitet se për të kanë rënë dakord Presidentët e Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç. Gabimi i madh apo vlerësimi i gabuar i BE-së ishte se menduan se Thaçi në Kosovë ka aq fuqi sa ka Vuçiçi në Serbi. Vështirë të thuhet se çfarë është mirë e çfarë është keq: kaosin politik që ka Kosova, ku nuk dihet se kush vendos, apo në Serbi ku të gjithë e dinë se mund të vendosë vetëm një individ. Tani në Kosovë ka shumë mundësi të vijë puna deri te zgjedhjet e parakohëshme. Por edhe në BE ndryshimi në institucione është në kulmin e tij.

Do të duhet të pritet vjeshta në mënyrë që të shihet nëse Unioni mundet të ndërmjetësojë në dialog. Ky rol bëhet gjithnjë e më i vështirë sidomos tani pas vendimit që shefi i ardhshëm i diplomacisë së BE-së do të jetë ministri spanjoll i punëve të jashtme Jozef Borelli, Katalonjasi që i është kundërvënë publikisht pavarësisë së Kosovës, gjë me të cilën i është kundërvënë edhe shumicës së shteteve antare të BE-së që e njohin këtë shtet. Është pikërisht kjo ndarje brenda BE-së në qëndrimin rreth statusit të Kosovës e vetmja pengesë që Unioni të jetë një ndërmjetës i suksesshëm. Sepse, nëse vetë BE-ja nuk ka një qëndrim të caktuar për diçka, atëherë si mundet t’i bindë palët që bëjnë dialog të bien dakord për këtë gjë?

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

 

 

 

Të fundit