Flash News

KRYESORE

Ben Andoni: Mazhoranca provoi akuzën e opozitës, Arta Marku e paaftë për të qenë kryeprokurore

Ben Andoni: Mazhoranca provoi akuzën e opozitës, Arta Marku e

Nisur nga skandali i dosjes 339, analisti Ben Andoni thotë se shqiptarët duhet të ndihen të shqetësuar për nivelin e kryeprokurores Arta Marku dhe të strukturës së saj në Prokurori. Ai thekson gjithashtu se reforma në drejtësi nuk po realizohet.

“Në ato përgjigje që kanë dalë në këto përgjime veç gjuhës vulgare, nivelit nën-mediokër kemi parë injorancën e thellë të njerëzve që katapultohen dhe që kanë në dorë të ardhmen e vendit tonë, por edhe fytyrën e vërtetë të pushtetit. Do duhen edhe disa kohë të përcaktohen realisht qëllimet e këtyre personazheve të këtyre përgjimeve, për fat të tyre prokuroria fle thellë, por një gjë kuptohet fare mirë: Ne jemi peng i këtij takëmi që ka zënë rrënjë thellë dhe paçka zhvillimeve ata do mbesin protagonistë.

Për fatin e keq, Reforma në Drejtësi nuk  po realizohet, kurse me nivelin aktual që ka zonja Marku dhe e gjithë struktura e saj e prokurorisë, duhet të ndjehemi të shqetësuar. Thirrjet e saj në orët e fundit që prokuroria të hetojë me shpejtësi nxjerrjen në publik të akteve që përbëjnë sekret hetimor dhe të vihet para përgjegjësisë penale kushdo, prokuror, oficer i policisë gjyqësore apo dikush tjetër që ka poseduar për shkak të ligjit CD-të dhe në vend që të ushtronte funksionet ligjore dhe të kryente hetimin objektiv, ka bërë publikimin e tyre, duket qesharak. Kjo për arsye se ata që i kanë dorëzuar kanë menduar shumë mirë dhe mënyrën e heqjes së gjurmëve, paçka se protokolli i administrimit të përgjimeve e përcakton mendojmë drejt procedurën e realizimit dhe të ruajtjes dhe kështu një prokurori funksionale do i jepte përgjigje”, shkruan Ben Andoni në ‘JavaNews’.

Andoni thotë se mazhoranca socialiste po vuan gabimin e madh e katapultimit që i bëri Arta Markut në krye Prokurorisë, duke provuar edhe akuzëne opozitës se ajo nuk ishte e aftë për atë post.

“Maxhoranca po vuan gabimin e madh që bëri me katapultimin e një zonje të tillë si kryeprokurore, që duan apo nuk duan ata, provoi akuzën e opozitës për paaftësinë e saj për këtë post kaq të lartë. Akuza e shtetit kurrë nuk ka qenë kaq pa prestigj, ndërsa politika duhet të turpërohet që po provon atë që të huajt i kanë dedikuar vendit tonë: Një vend që nuk di të bëhet. Përfundimi i hetimeve të dy dosjeve me patjetër do të nxjerri realisht shumë problematika, por një gjë kuptohet qartë: prokuroria nuk e përballon dot, ose më saktë nuk kupton përgjegjësinë e madhe që ka në këto momente për të ndihur imazhin e vendit tonë. Degradimi i funksionarit shqiptar është që nga ata që blejnë votat, por edhe këta qyqarët që kinse nuk dinë të hetojnë, por dinë shumë mirë që të shpërndajnë materialet për të ndyrosur vendin tonë. E gjitha mbetet pjesë e asaj që e besojmë të gjithë: kriminelët, hajdutët dhe keqbërësit duhet të rrinë të qetë me këtë nivel që ka prokuroria jonë”, shkruan Andoni.

Të fundit