Ben Blushi tregon raportin mes medias dhe politikës: Gazetarë të njohur janë blerë nga politika

Gazetari dhe ish-politikani Ben Blushi tregon raportin që ka me këto dy pushtete.

Pas rikthimit në media, jo si gazetar, por si menaxher, për Blushin është diçka e natyrshme dhe se sipas tij e ka mbrojtur interesin publik më shumë si gazetar se sa si politikan.

“Kur kam qenë politikan, kam qenë më shumë gazetar, polemist ose kritik. Kjo është ajo që kam qejf të bëj më shumë. Nuk shoh ndonjë sfidë edhe pse nuk jam një gazetar i mirëfilltë tani, nuk shkruaj apo të analizoj, jam në pozitat menaxheriale sesa gazetareske. Pra, jam i detyruar të menaxhoj gazetarë, përfshirë edhe veten time në këtë rast”, shprehet Blushi për Belina Budinin, në librin e ‘Ndikuesit/Influencers’.

I pyetur nëse gazetarët i përdorin politikanët, Blushi thotë se ky është një shkëmbim.

“Politikanët në përgjithësi i përdorin gazetarët për të mos thënë të vërtetën, ose për ta zbukuruar, kurse gazetarët i përdorin për të mira materiale. Ka shumë gazetarë të njohur që kanë krijuar të mira materiale duke ndryshuar të vërtetën dhe duke e shitur ndryshe atë . Politikanët i kanë blerë dhe për këtë arsye i kanë shpërblyer. Pra, një marrëdhënie e ndërsjellë”, shton Blushi.