Flash News

KRYESORE

Berisha është shansi i fundit i Ramës

Berisha është shansi i fundit i Ramës

Gentian Gaba

Të gjithë njohim disa persona që duken të lindur me një dhunti të jashtëzakonshme, ajo e të qënit të aftë për të udhëhequr, organizuar, komanduar, urdhëruar, inovuar, motivuar dhe drejtuar aksionet e të tjerëve.

Ka shumë karakteristika që identifikojnë një lider, si për shembull aftësitë e mira sociale, empatia, intuita, që të çon në mënyrë të shpejtë në dallimin midis faktorëve të rëndësishëm nga kotërinat. Madje ka edhe forma të ndryshme të lidershipit: delegues, autokrat, demokratik, transformues etj. Këto tipologji gjejnë pëlqimin e tyre te ne, në bazë të nevojave historike.   

Një debat mbi lidershipin është hapur kohët e fundit edhe brenda opozitës shqiptare, madje, në një farë mënyre, mund të quhet edhe i stisur, dhe ka në thelb kthimin e Sali Berishës në pozicionin që ai lëshoi në vitin 2013.

Sigurisht, një debat i tillë është i rëndësishëm për jetën politike të një vendi, madje është thelbësor për të kuptuar dinamikat që do të marrë e ardhmja në të gjitha dritëhijet e saj.

Megithatë, ky debat duhet ndarë në dy nivele.

I pari është ai i faktorit opozitar që kërkon një udhëheqje të qartë dhe një lider me “thikë në dhëmbë”, i cili adreson në mënyrë agresive problematikat e shumta të cilat po lëngon vendi. Pasqyrë e një reflektimi serioz që merr shkas nga cilësia e kundërshtarit, i cili kërkon që institucioni i opozitës të jetë funksional në të gjitha qelizat e tij.

Niveli i dytë i debatit është ai më dinaku, që nuk lind nga dëshira e grupimeve anti-mazhorancë, por është një krijesë laboratorike e kësaj të fundit, e cila kërkon me çdo kusht të luajë me vështirësitë e kundërshtarit, dhe jo me meritat e veta në qeverisjen e vendit.

Mjafton të kemi parasysh mënyrën sesi disa media, të cilat kanë aftësi “kornizuese” dhe përcaktuese të agjendës politike, raportojnë aktualitetin.

Përparësi nuk i jepet përmbytjeve në Shkodër dhe Durrës; raportit shqetësues të FMN-së mbi Partneritetin Publik Privat; taksave që ngrihen; bizneseve që mbyllen; investimeve të huaja që nuk vijnë më; drogës “Made in Albania” që ka zaptuar Perëndimin, dhe nga dje edhe Lindjen; indekseve ndërkombëtare në të cilët ne renditemi përherë e më shumë, sipas rastit, nga fundi ose fillimi; Tahirit dhe policëve që ai i shpuri në një drejtim jo të duhur, etj..

Përparësi i jepet debatit mbi opozitën, dhe, si një profeci që vetpërmbushet, debati prodhon edhe më shumë tym, mjegull dhe paqartësi në kampin e politikës që duhet të qartësojë opinonin publik mbi mënyrën sesi po (keq)qeveriset vendi.  

Nuk është rastësi, as trend kulturor, por një strategji e mirëfilltë politike për të shkatërruar alternativën e vetme që sistemi ynë politik është në gjendje të prodhojë.

Teatri i ri, për ata që kanë pak fosfor në tru, ngjason shumë me atë të vjetrin. Përpara se të ngrihet flamuri i bardhë i opozitës, duhet të kujtojmë sesi të gjithë e konsideronin të dorëzuar Ramën, përballë Berishës, në vitet 2008, 2009 dhe 2012.

Nga mësimiet që kemi marrë nga historia politike shqiptare, makina e përkryer politike që konsiderohet sot “Rilindja”, shtyhej me vështirësi nga Rama në disa momente të mundimshme të lidershipit të tij.

Pas marrëveshjes të vitit 2008 (të djallosurat marrëveshje!), humbjes së zgjedhjeve të vitit 2009, kreditet politike të Ramës kapnin kuota më të ulta sesa monedha europiane ditët e sotme.

Mos vallë keni harruar LMN-në? A nuk ju duket Blushi një Patoz pak më i rafinuar?

Po fantazmën e Fatos Nanos që endej nëpër korridoret e Partisë Socialiste, deri te “kërcënimi” që mund të pësonte lidershipi i Ramës nga shpallja e liderit “historik” të PS-së, President në vitin 2012, e keni harruar?

Megjithatë, Rama rezistoi, hëngri “ngjalën” e hidhur (kundër të cilës kishte lëshuar këmbësorinë më 21 Janar), dhe u bë Kryeministër.

Sot jemi përballë së njëjtës narrativë, por me personazhe paksa të ndryshëm.

Basha nuk është Rama (ky i fundit më autokrat, i pari më laissez faire), dhe mbi të gjitha Berisha nuk është Nano (të dy kafshë politike, por ky i fundit tepër njerëzor).

Që të lindë një lider, është e nevojshme që të ekzistojë një vakuum pushteti ose dyshime të forta ndaj pushtetit ekzistues. Për Bashën rasti i parë nuk u realizua kurrë brenda PD-së, rasti i dytë është duke u fermentuar në gjithë Shqipërinë.

“Mbreti vdiq, rroftë mbreti!”, thanë socialistët në vitin 2005. "Mbreti vdiq, rroftë Berisha!", thonë ende sot demokratët.

Kjo është “thembra e Akilit” e opozitës. Për këtë arsye, dinakëria e Ramës dhe atyre që veprojnë në funksion të tij, synon të godasë Bashën duke gudulisur egon e një lideri që ka dashurinë e Pigmaljonit për krijesën e tij.

Berisha duhet të rezistojë, ndërsa Basha duhet të bëjë diçka më shumë.

Kryetari aktual i PD-së nuk mund të ndihet i lehtësuar nga kjo përsëritje ciklike e historisë, e cila deri diku i garanton ardhjen në pushtet kur kokrrat e Ramës të kenë rënë. Duke veshur epitetin “perëndimor” që i kemi qëndisur ndër vite, duhet të dalë nga ky rreth vicioz; i cili përveç opozitave të ngjashme, mund të prodhojë edhe qeveri të ngjashme.

Imperativi historik kërkon një opozitë të fortë që, prodhon një alternativë jo vetëm për demokratët e pakënaqur, por për të gjithë shqiptarët. Një opozitë të hapur, sa më të gjerë, gjithëpërfshirëse, me një lidership demokratik, që me siguri do t’i japë më pak pushtet Bashës, por më shumë alternativë vendit.

Të fundit