Flash News

KRYESORE

Berisha i pashmangshëm

Berisha i pashmangshëm

Alfred Lela

Sali Berisha i ndan njerëzit. Në adhurues dhe urrejtës. Të dy palët gjenden në tehun e hollë që i pret këto ndjenja dhe, ndonjëherë, hutohen nga lartësia dhe marramendja që ua ngrin gjakun në majë të asaj maje dhe pyesin: More, e duam apo e urrejmë Doktorin?!

Ai, sigurisht, ka bërë bukë me brumin e këtyre ndjenjave, për 27 vjet tashmë në politikën shqiptare. Nuk është lodhur së shtyri urryesit në cep të ringut, dhe duke tërhequr adhuruesit nën aurën e tij prej Marsi; që edhe në  dashuri shkon si në luftë. 

Sipër këtij tehu ndarës ka ecur Sali Berisha, dhe ndonjëherë edhe nën të. Kur ka humbur zgjedhje, kur ka dështuar politikisht, kur e ka ndjerë veten në padrejtësinë e të dëbuarit, e me radhë. 

Vetëdija dhe intuita politike e kanë nxjerrë, pavarësisht hepimeve dhe rënieve, mbi atë teh që nuk të fal, të mprehur nga dashuria dhe urrejtja.

Në intervistën e fundit për gazetarin Çim Peka ai provoi se, ndoshta është njeriu me intuitën dhe vetëdijen më të lartë politike në Shqipëri. Intervista, siç është kryesisht gjithë komunikimi politik i z. Berisha, nuk kishte reliev, që do të thotë nuk kërkonte metafora, impresione, simbolika apo artifice të tjera të retorikës. Kjo mungesë zëvendësohej me peshë. Trusninë e peshës.

I vetëdijshëm, Sali Berisha interpretoi saktësisht peshën e vet. Me kthjelltësinë që ia jep përvoja dhe me dijenitë që ia jep senjoriteti dhe thellimet në literaturë.

Intervista e Berishës nuk ishte thjesht një bisedë në studio, por një akt politik. U tha besnikëve se ai është; u kumtoi armiqve se ai nuk zhbëhet; dhe neutralëve se Partia Demokratike është interesi i tij. Pritshmëritë e askujt nuk plotësoi përfundimisht Sali Berisha. Vetëm të historisë.

Të pakënaqurit me Bashën, listat, mënyrat, njerëzit që i bëjnë rrathë, apo qoftë ekzistencën e tij, prisnin që Berisha, si Agamemnoni, pas një flije të dhimbshme e përndezëse, të nisej për një luftë të re. Ata kërkonin që Berisha të luftonte betejat e tyre. Ai u tha jo. Duke zgjedhur mosnisjen ai shpalli edhe staturën e vet: nuk u dha betejë të tijve për hatër të ca të tijëve të tjerë. Aq më pak të armiqve. Duke e zëvendësuar luftën me yshtjen për bashkim.

Lufta do të kishte kënaqur edhe neutralët, të cilët të paanë e hermafroditë siç janë, hidhen menjëherë në anën e zhurmës.

Kjo nuk do të thotë se Berisha ishte shpërfillës ndaj humbjes dhe kritikës për të. Ai e gjeti kohën dhe mënyrën për të ekzaminuar atë që kishte ndodhur. Në një moment lëshimi ai prodhoi një maksimë, që nuk do donte ta kishte thënë. I shpëtoi bashkë me nënqeshjen e një 'ujku politik': Zgjedhjet nuk fitohen me program, por me propagandë.

Autori i këtyre radhëve, ka qenë në shpurën laramane të atyre që mendonin se Berisha e dobëson Bashën; prania e tij e pengon Partinë Demokratike për të konturuar një fillim dhe profil të ri; skemat e tij janë disi të vjetëruara.

Kur kriza mbërriti, me të njëjtën dredhi dhe forcë si futja e grekëve në Trojë në barkun e një kali, ai gabim në të menduar u vetëzbulua ashtu si iluzioni i trojanëve.

E kundërta ka ndodhur: Sali Berisha ka shërbyer si qendër gravitacionale, si rrufepritës, si një lloj ndërgjegjeje politike për një Parti Demokratike të kapur në dhimbjet e një krijese që kërkon natyrën e vet të re brenda së vjetrës.

Berisha e di. Nuk është kjo hera e parë kur ai është lexuar gabim.

Të fundit