Berisha me qëndrim ndryshe nga Meta: Unë s’kisha pranuar të emëroja 4 kandidatë nga 12 për ‘Kushtetuesen’

Ish kryeministri Sali Berisha, i cili u takua sot me kreun e shtetit Ilir Meta nën cilësinë e ish presidentit të republikës foli pas takimit, duke u ndalur më shumë te kriza institucionale për emërimet e Gjykatës Kushtetuese.

I pyetur nga gazetarët nëse do të vepronte njësoj si Meta, qofte edhe me qëndrimet ndaj ndërkombëtarëve lidhur me këtë krizë, Berisha tha se do të kundërshtonte që në krye të herës të bëjë emërime vetëm me 4 kandidatë nga 12 që duhet të kishte sic e përcakton Kushtetuta.

“Unë sa i përket emërimeve s’kisha pranuar kurrë 4 kandidatë për 12. Sepse Kushtetuta e detyron të sjellë 12 që presidenti të ketë mundësinë e zgjedhjes por kjo është që të sjellë ato që ka firmosur Rama dhe kjo është shkelje e rëndë”, tha Berisha.

I pyetur se pse Meta duhet të zgjidhte gjyqtarin e renditur në vend të katërt dhe jo tre të parët siç përcaktohet me ligj, Berisha tha se presidenti ka qenë në presionin për plotësimin e vendeve vakante sa më parë për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

“Tre të parat u zgjidhën me nga një. Faktikisht, procedura e zgjedhjes së tyre është nul. Presidenti ka një presion dua të jem i sinqertë. E shtynë që të bëjë veprime që ta plotësojë sa më parë Gjykatën Kushtetuese. E përzgjedhura e presidentit është jashtë çdo diskutimi eprore në cdo parametrat krahasuar me të tjerat.  Është magjistrate me një hetim dy-vjecar nga vettingu dhe zero rezultate në gjetje, kështu që zgjodhi kandidaten më të përshtatshme”, tha Berisha.