Flash News

KRYESORE

BERZH: 50% e shqiptarëve duan sistem demokratik, 31% diktaturë

BERZH: 50% e shqiptarëve duan sistem demokratik, 31% diktaturë

Sipas vrojtimit “Jeta në Tranzicion”, që Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, bën mbi të gjitha ekonomitë në zhvillim, rezulton se 31% e shqiptarëve preferojnë më shumë një sistem autoritar qeverisjeje sesa demokracinë. 

Sipas raportit, pjesa e shqiptarëve që duan qeverisje autoritare është tre herë më e lartë sesa ajo e qytetarëve të Europës Perëndimore. Madje, ajo është më e lartë edhe sesa mesatarja e ish-vendeve komuniste të ngjashme me Shqipërinë, ku treguesi raportohet 28%.

 

Ndërkohë që ky vrojtim tregon se vetëm 50% e shqiptarëve preferojnë një sistem demokratik qeverisjeje, ndërsa pjesa tjetër shprehen neutralë. Të dhënat tregojnë madje se mbështetja për demokracinë në Shqipëri është ulur ndjeshëm në 6 vitet e fundit, nga 57% që ishte në vitin 2010, në 50% aktualisht. 

Vrojtimi paraqet një panoramë të ngjashme edhe për preferencat mbi sistemin ekonomik. Sipas BERZH, një e treta e shqiptarëve dëshirojnë të kenë një ekonomi plani të centralizuar, si ajo e regjimit komunist. Kjo shifër është 13 pikë përqindje më e lartë sesa mesatarja e vendeve të Europës Perëndimore, por në raport me vendet e tjera në tranzicion ajo është lehtësisht më e ulët. 

Gjetjet e vrojtimit janë rezultat i intervistave direkte. Sipas BERZH, hartuesit e sondazhit kanë pyetur 1500 veta për secilin nga 29 vendet e përfshira në vrojtim. Përfundimi kryesor është se në vendet ish-komuniste të lindjes, nostalgjia për të shkuarën, të paktën sipas BERZH, është jo e vogël./t.ch

Të fundit