Flash News

KRYESORE

Besoj se me këta tre libra do të shpëtoja veten: Biblën, Princin e vogël dhe Faustin e Goethes

Besoj se me këta tre libra do të shpëtoja veten: Biblën,

ÇFARE PO LEXON SARA MICHEL

Në ato që thotë, por edhe në portretin e saj, fryn era e kaltër, e kthjellët dhe serioze e dy 'hapësirave gjermanike': austriakes dhe shkodranes. Ajo është shtrirë edhe më tej në këtë hapësirë, duke u shkolluar në Graz dhe duke u martuar me një austriak. Kjo e shpjegon theksin gjermanik të leximeve dhe kulturës, por edhe mbiemrin e saj. Emri biblik, ndoshta shpjegon se pse zgjedh Biblën si një prej tre librave që do të shpëtonte në rast të Përmbytjes së Madhe.

Derisa ajo të ndodhë (larg kjoftë!), Sara lexon.

 

Libri më i vjetër që keni në bibliotekë?

Nuk kam ndonjë libër me vlerë për një fond antikuari.

Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Nga autori si dhe nga kritikat dhe recensionet letrare.

I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Sa mirë do të ishte sikur... . Apo thënë me fjalët e Schopenhauer: „Do të ishte mirë që bashkë me librat të mund të blije edhe kohën për t’i lexuar ato.“

Libri i parë që keni lexuar?

Nuk më kujtohet. Do të thotë se duhet të kem qenë në moshë relativisht të hershme, atëherë kur sapo fillon të zbulosh librin, por pa patur akoma vetëdijen e biografisë vetjake prej lexueseje. Kujtoj megjithatë librin më impenjativ që kam lexuar në shkollën 8-vjeçare. Ka qenë „Xha Gorio“ i Balzakut. Ma pati rekomanduar mësuesi i atëhershëm i Letërsisë. Mbaj mend që mbasi e mbarova së lexuari romanin, i isha shumë mirënjohëse për përzgjedhjen.

Libri i parë që keni kursyer për ta blerë?

Nuk kam kursyer për të blerë libra. Ata që mund të kenë kursyer për librat e mi janë prindërit. Më kujtohet, për shembull, sesa krenare ishte nëna ime kur me rastin e fillimit të shkollës së mesme, më bëri dhuratë Fjalorin e Gjuhës Shqipe që ishte, për nga çmimi, jo pak i rëndë për mundësitë e një familjeje të thjeshtë, të sapo dalë nga tranzicioni, dhe po aq i rëndë ishte edhe për nga pesha, për një vajzë adoleshente me trup të brishtë që e mbante gjithë gëzim në dorë për ta sjellë nga libraria në shtëpi.

Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnaziste apo studente?

Me askënd. Kam ndarë përshtypje apo sugjerime për libra të caktuar, ndërsa librat i doja t’i kisha përherë prezent në „vetminë“ time. 

A keni patur kartë anëtarësimi në bibliotekën e qytetit?

Jo.

A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Gjatë Studimeve të Masterit kam frekuentuar disa biblioteka institutesh në Universitetin „Karl-Franzens“, në Graz. Kujtoj që ka qenë një kohë mjaft produktive. Më duhej të ngrihesha herët për të gjetur një vend lirshëm në bibliotekë, dhe në mbrëmje vonë largohesha prej aty gjithmonë me bindjen se i kisha kaluar orët në vendin e duhur.

Sot preferoj më shumë bibliotekën-shtëpi ku mund të pij një kafe ndërsa punoj apo të shijoj shoqërinë e heshtur të maces diku në sfond.

I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo një miku një libër dhe nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?

Kam disa libra që i kam marrë një mikut tim të mirë austriak para shumë vitesh dhe nuk ia kam kthyer ende. Deri para pak kohësh kisha justifikimin e largësisë, tani e pranoj që ishte mosdëshira për t’i larguar nga biblioteka ime, ajo çfarë më ka penguar që t’ia rikthej. Nga ana tjetër, lehtësoj pak ndërgjegjen time kur mendoj se Martin ndërkohë, me siguri i ka zëvendësuar me shumë libra të tjerë, aq sa nuk do t’ja zinte më biblioteka edhe po t’ia ktheja.

Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Për fat, jo.

A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni ndonjë titull dhe si i siguronit?

Unë i përkas një brezi që nuk është prekur nga fenomeni i librave të ndaluar. Megjithatë më kujtohet një libër që mund të quhej i ndaluar për moshën kur e kam lexuar, dikur në adoleshencën e hershme. Bëhet fjalë për librin autobiografik të Priscilla Presley me titull „Elvisi dhe unë“. Përveç aspektit romantik që përmbante libri, kishte aty brenda edhe përshkrime „pikante“ ku ndërlidheshin seksi, fama dhe vaniteti. Kjo më jepte ndjesinë se po lexoja diçka të ndaluar.

Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës... ?

Letërsinë artistike e lexoj si të jetë e mundur. Librat studimorë në tryezën e punës.

A lexoni në banjë?

Edhe ndodh.

Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Kryesisht në gjermanisht, por edhe në italisht dhe anglisht.

Mbani shënime kur lexoni?

Shënime jo, por nënvizoj pjesë të cilave iu rikthehem në një moment tjetër reflektimi apo riprodhimi.

Në Letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/ saj?

Më tërheq më shumë proza, por mundohem të mos e lë pas dore as leximin e poezive. Lexoj shumëçka të një autori që më pëlqen, por në distancë kohore që të mos më duket sikur autori apo unë po përsërisim veten.

Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Çfarë duhet lexuar patjetër na e thonë kanonet e Letërsisë. Sa i përket sugjerimeve që do të kisha unë për një lexues apo lexuese të interesuar, pa u zgjatur në lista, do të veçoja ‚Në kërkim të kohës së humbur’ nga Marcel Proust, një kryevepër letrare mbi marrëdhënien e individit me kohën, kujtimet dhe vdekjen; nobelistin Elias Canetti, prototipin e shkrimtarit evropian tek i cili bashkohet një shumëllojshmëri identitetesh kulturore; apo autorin bashkëkohor zviceran me origjinë arbëreshe Francesco Micieli.

Një vend të veçantë në rekomandimet e mia zë edhe poezia gege si ajo e Zef Zorbës, Frederik Rreshpjes dhe Primo Shllakut, e cila nuk është zbuluar akoma si duhet, e bash për këtë arsye është edhe aq e freskët dhe gjallëruese për shpirtin.

Për gratë lexuese, do të rekomandoja me patjetër librin e Virginia Woolf  'Një dhomë më vete’ dhe Simone de Beauvoir 'Seksi i dytë’. Këto dy autore janë pioneret e filozofisë së feminizmit, filozofi e cila për fat të keq është kaq pak prezente në perceptimin intelektual të shoqërisë shqiptare.

A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Po të ekzistonte një libër i tillë, a thua do të shkruheshin kaq shumë libra, dje dhe sot?

Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do të ishin?

Bibla, Princi i vogël, Fausti nga Goethe. Besoj se me këto tre libra do të shpëtoja veten.

Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh ...

Një libër për ta lexuar diku në një qoshe është gjithçka më duhet për t’u ndjerë mirë.

Na thoni një varg të preferuar poezie...

I errët ky shteg. Nuk mundem

rrugën me gjetë pa dritën

tande. (Çka më sëmbon?)

Në cep të greminës,

që joshë e ngujon,

a nuk e sheh si po lëkundem?

-Zef Zorba.

Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Princi i vogël, nga libri me të njëjtin titull i autorit Antoine de Saint-Exupéry. Ky personazh mishëron këndvështrimin më human të jetës, në gjuhën më të thjeshtë e fantazinë më të bukur të një alter egoje fëminore.

Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni?

Do të veçoja dy autografë të çmuar për mua. Njëri është i Robert Shvarcit, sipas meje përkthyesi i më mirë i gjuhës gjermane në atë shqipe, ndërsa autografi tjetër është nga shkrimtari, studiuesi dhe përkthyesi italian Claudio Magris.

Çfarë po lexoni?

‚Der Trafikant’nga Robert Seethaler. Ngjarjet e romanit kanë për protagonist një djalosh 17-vjeçar i cili zhvendoset nga fshati i lindjes, në Vjenën e vitit 1937 ku edhe fillon të punojë si shitës në një kioskë. Këtij aktiviteti të protagonistit i referohet edhe titulli i romanit: fjala „Trafikant“ në gjermanishten e Austrisë do të thotë pikërisht shitës gazetash dhe tabaku. Ngjarjet kryesore të romanit kanë në fokus miqësinë e protagonistit me Sigmund Freud, dashurinë me një balerinë varietesh dhe ardhjen në pushtet të nazizmit. Tri tema veçanërisht austriake, do thoja.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit