Flash News

OP-ED

Beteja e kujtesës për Shqipërinë europiane

Beteja e kujtesës për Shqipërinë europiane

Sara Michel

Austria përkujton këtë vit 100 vjetorin e krijimit të Republikës që daton më 12 Nëntor të vitit 1918. Me rastin e këtij viti jubilar në historinë e shtetit austriak, janë përgatitur një radhë aktivitetesh të cilat kanë jo vetëm karakter festiv, por edhe përkujtimor. Një pjesë e rëndësishme e këtyre të fundit kanë si temë të shkuarën naziste të Austrisë dhe ballafaqimin me një peshë të madhe morale e historike në ndërgjegjen kolektive të shoqërive të Pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithëse, për një kohë të gjatë, Austria mbrojti tezën e të qenurit viktimë e nacionalsocializmit (përmes marshimit të trupave gjermane dhe aneksimit nga Gjermania), dhe vetëm në fund të viteve ’80 filloi të hapej një diskutim publik mbi rolin dhe përgjegjësitë e saj në krimet e Holokaustit, kjo temë vazhdon të jetë kryefjala e ballafaqimit me të shkuarën në shkolla dhe programe mësimore, në institute shkencore dhe universitete, në art, letërsi apo në mediat audiovizive.

Një gazetare e stacionit shtetëror austriak ORF 1 e fillon reportazhin me pyetjen: Çfarë lidhjesh kam unë me krimet e nazizmit, sa duhet ta ndjej peshën e asaj kohe, megjithëse i përkas brezit të tretë të Pas Luftës së Dytë Botërore?

Nuk ke sesi të mos ndjesh admirim për një gazetare që bën një pyetje të tillë, e cila megjithëse për momentin tingëllon e thjeshtë dhe thuajse retorike, përmban në vetvete ndjeshmërinë, kureshtjen, kurajon civile dheintegritetin moral të një personi publik, të aftë për të ndjerë dhe të gatshëm për të kuptuar. Gazetarja në fjalë kishte përgatitur një sërë intervistash me disa të mbijetuar të Holokaustit, për realizimin e të cilave kishte shkuar deri në Izraelin e largët, megjithëse në Austri do të kishte qenë më e rehatshme, dhe po ashtu e mundur, të gjente mjaft syresh.

E vështirë t’i shmgangesh këtij paralelizmi kur në vendin e një prej sistemeve më të egra totalitare, siç ishte Shqipëria e regjimit komunist të Enver Hoxhës, mbizotëron ende një diskurs publik me persekutorë të amnistuar e viktima të nëpërkëmbura, me nostalgjikë e flirtues të diktaturës, por edhe me një grusht njerëzish vullnetmirë që kanë marrë përsipër një mision themelor për të mos lejuar që heshtja apo harresa për krimet e komunizmit të minojë njëherë e mirë mundësinë e një katharsisi shoqëror shqiptar.

Vetëm pak kohë më parë u ndez debati për Kampin e Tepelenës, i cili karakterizohej nga një kompleksitet aspektesh ku përplaseshin historiografia si shkencë me historitë personale të dëshmitarëve të kohës, ku ndërthureshin aspekte të kujtesës kulturore kombëtare - përmes rehabilitimit dhe muzealizimit të vendeve që përkujtojnë krimet e regjimit komunist - me aspekte të kontekstualizimit mbarëeuropian sa i përket përdorimit të gjerë të „Aushvicit“ si simbol i terrorit, traumës dhe vuajtjeve në sistemet diktatoriale, të çfarëdolloj ngjyre apo gjuhe qofshin ato.

Në fakt nuk mund të ketë garë mes krimit, siç nuk mund të bëhet as një krahasim cilësor mes akteve kriminale. Prandaj, një i mbijetuar i kampeve shfarosëse të Holokaustit nuk besoj se do të mund ta shikonte ndryshe një të mbijetuar të kampeve dhe burgjeve komuniste përveçse si të ngjashmin e vet, viktimë të sistemeve tirane, me pasoja të rënda për njerëzimin. Aq më pak mund të pranohen në kushte të tilla përpjekjet për një relativizim të krimit përmes kontekstit gjoja historik dhe politik të kohës. Një gjë e tillë do të merrte nota qesharake, po të mos ishte kaq e rrezikshme për arsyen e shëndoshë njerëzore.

Ndërkohë që debati për Tepelenën duket se e mbylli ciklin e vëmendjes mediatike, tabloja e Shqipërisë post komuniste së këtyre ditëve vazhdon të na ofrojë reminishenca nga e kaluara përmes glorifikimit të figurës së diktatorit Hoxha në parada përkujtimore, apo përmes mallëngjimit të ndonjë prej zyrtarëve të lartë për „kohët e arta“, pa drogë e mafiozë.

Si rrin vallë kjo tablo e nostalgjisë për një nga sistemet më kriminale që pati Shqipëria, në mozaikun e vlerave dhe trashigimisë europiane, pjesë e të cilave trumbetojmë se jemi apo aspirojmë të bëhemi? Cila është ndërgjegjia dhe kujtesa jonë kolektive, morali i të mirës dhe të keqes, kultura e drejtësisë që do të na sigurojë dinjitetin e një qytetari të Bashkimit Europian?

Për sa kohë të mos ketë një platformë kombëtare për ballafaqimin me të shkuarën komuniste si një premisë themelore për ringritjen morale dhe emancipimin demokratik të shoqërisë shqiptare, kujtesa personale e viktimave të komunizmit do të vazhdojë betejën e dëshmive dhe sfidën që ajo i bën mungesës së dokumentave përmes historisë së jetuar në trupin dhe zemrat e njerëzve. Kështu, objektiviteti historik për të shkuarën komuniste do të ripërtërihet, jo si një feniks i ringritur nga hiri i përjetimeve, por si një narrativë e gjallë faktesh historike.

Kalimi i dëshmive nga kujtesa individuale në kujtesën kolektive të një populli arrihet vetëm përmes një diskursi institucional mbi historinë e persekutimit dhe vrasjeve në regjimin diktatorial në Shqipëri, i cili nga ana e tij është i lidhur ngushtë me politikat kulturore dhe mediatike, pa përmendur vullnetin e mirëfilltë politik, në një shoqëri tranzicioni të vazhdueshëm siç është kjo e jona. Prandaj trashëgimia komuniste dhe pasojat e saj duhet të reflektohen sa më parë në një proçes vetëdijësimi kolektiv mbi identitetin tonë si shqiptarë të lirë dhe atdhedashës, por edhe si europianë të ardhshëm. Sepse në Europë nuk mund të shkohet me nostalgjinë për totalitarizmin, por me dënimin e traumave të shkaktuara prej tij. Ky nuk është vetëm kushti i Europës për të na pranuar si të ngjashmin e vet, si qytetarë me vetëdije historike, me ndërgjegje sociale dhe vlera humane, por kjo është në radhë të parë ajo çfarë ne i detyrohemi viktimave të pafajshme të represionit dhe dhunës së regjimit komunist. Pikërisht këtu nis terapia e shoqërisë shqiptare për pastrimin dhe shërimin e plagëve të së kaluarës që vazhdojnë të na mbajnë peng të ardhmen. Por, të shpresojmë që mos të jetë aq e largët dita kur aktorët e shoqërisë shqiptare, persekutorë të viktimave, pasardhës të drejtpërdrejtë të atij regjimi, por edhe brezi më pak i prekur nga fatkeqësia historike e 45 viteve diktaturë, të ketë ngasjen për të shtruar publikisht pyetjen: „Cili është raporti im me të shkuarën komuniste?“. Vetëm atëherë, beteja kryesore e kujtesës që kemi ne aktualisht si popull, mund të quhet e fituar.

A nuk është kjo betejë një nga premisat kryesore për më shumë dinjitet dhe drejtësi në të ardhmen e shoqërisë shqiptare?

Të fundit