Flash News

KRYESORE

Bibliofili i madh Faik Konica: “Prometeun e lidhur” i Eskilit, një monument!”

Bibliofili i madh Faik Konica: “Prometeun e lidhur” i Eskilit,

Gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi, ka postuar një foto të personalitetit të shquar Fakik Konica mes librave, të shoqëruar me një koment dhe një citim të vetë Konicës. “Faik Konica ishte bibliofil i madh. I përpinte librat, i mbante mend mirë dhe i bënte pjesë të punës së tij. Më pëlqen mënyra sesi ai citonte nga ato që lexonte, shkruan Ikonomi.

Kur po shkruaja biografinë e tij, trembesha se nuk do të gjeja dot një foto të Konicës me libra. Një ditë shkova në Bibliotekën e Kongresit në Uashington, kërkova disa orë dhe gjeta dy foto të panjohura: njëra ishte portreti i tij zyrtar, që siç duket Konica ia kishte shpërndarë shtypit në vitin 1926 me rastin e fillimit të punës si ministër i Mbretit Zog në SHBAë tjetra ishte bërë më 7 prill 1939, ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia – Konica duke dëgjuar i trishtuar lajmet. Në asnjërën prej tyre nuk ishin librat e tij të famshëm.

Qëllova me fat sepse njëri nga punonjësit e Bibliotekës e kuptoi se bëhej fjalë për një shqiptar të jashtëzakonshëm dhe më premtoi të pyeste në një depozitë ku ruheshin fotografi të vjetra të gazetave amerikane. Përgjigja erdhi shpejt. Një fotografi e mrekullueshme e tregonte Konicën duke lexuar mes një grumbulli librash, ulur në kolltuk, me katër llulla në krah të majtë.

Njerëz të ndryshëm e kuptojnë librin në mënyrë të ndryshme. Konica na e jep me pak fjalë vlerën e një libri të mirë kur tregon se si një mbrëmje, duke pirë çaj, mori të lexonte nga biblioteka e tij “Prometeun e lidhur” të Eskilit, shkruar 2400 vjet më parë. Eskili flet për disa të vërteta mbi natyrën njerzore që nuk kanë ndryshuar as sot e kësaj dite, aq sa e bëjnë atë libër si të ishte shkruar dje. “Një librëz dyzetfaqesh, - shkruan Konica. - Mund ta ngrejë një foshnje me majën e një gishti se ky librëz është i lehtë si një pendë. Dhe nuk është vetëm një libër. Është një monument. Një monument me aq rëndësi sa njerëzit viganë të bashkuar s'mund ta luajnë nga vendi”.

Kjo foto e pavdekshme, që na e jep Konicën madhështor në botën e tij të vërtetë, është bërë në prill 1939.”, përfundon postimin e tij Ikonomi.

 

Të fundit