Flash News

KRYESORE

Bie në mënyrë drastike popullsia e Shqipërisë, “sundojnë” pleqtë

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjatë viteve 1950 deri në vitin 2100 do të ketë një rënie drastike të popullsisë shqiptare, e cila do të shoqërohet me rritjen e moshave të mëdha dhe uljen e moshave të reja.

Në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë, me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB. Në priamidën e publikuar nga OKB duket qartë mbizotërimi i moshave të mëdha.

Rreth 546 mijë persona janë mbi 60 vjeç, ndërsa shihet se baza e piramidës është ngushtuar dukshëm.  E gjitha kjo reflekton një nivel të ulët të numrit të lindjeve.

 Në vitin 2100, numri i personave mbi 60 vjeç do të jetë më i madh se personat nën këtë moshë.

Një ndër arsyet kryesore të përkeqësimit të situatës është emigracioni, ku sipas të njëjtit burim që nga viti 1990 kanë emigruar 20% e popullsisë së vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali.

Sipas  të dhënave të publikuara nga INSTAT, në vendin tonë pjesa e popullsisë 65 vjeç e sipër është rritur nga 5 në 11% përgjatë viteve 1989 -2011. Ndërsa parashikohet në në vitin 2060 do të arrijë në 29%.

Ndërsa krahasuar me shtetet e tjera në botë, Shqipëria nuk ndodhet ende në zonën e “rrezikut të lartë” nga plakja e popullsisë, por po shkon me shpejtësi drejt saj. Arsyet kryesore të rritjes së përqindjes së moshave të larta në Shqipëri janë; rritja e jetëgjatësisë, ulja e lindshmërisë dhe emigrimi gjithmonë e në rritje të moshave të reja.  Për këto arsye nga viti 1989 deri në 2011, mosha mbi 60 vjeç e sipër  është rritur nga 5 në 11%. Ndërsa këtë vit, të moshuarit mbi 60 vjeç zënë 18.8% të totalit të popullsisë.

 

Të fundit