Flash News

KRYESORE

Bie numri i turistëve kosovarë, fluks turistësh zviceranë dhe polakë

Bie numri i turistëve kosovarë, fluks turistësh zviceranë

Kjo është java e fundit e sezonit veror në Shqipëri. Edhe pse temperaturat nuk janë të favorshme, pasi ka luhatje dhe një ulje të ndjeshme të tyre, përsëri kjo javë është mundësia e fundit për ata që nuk i kanë bërë ende pushimet. Por, kësaj jave janë shtuar shumë turistët e huaj, të cilët vijën nga Evropa e freskët dhe temperaturat shqiptare janë shumë të volitshme për ta.

 Në aeroportin e Rinasit shënohet një fluks në rritje i turistëve që vizitojnë Shqipërinë.  Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Genti Mullai, thekson se vetëm këtë të martë deri në mbrëmje prej aty kanë mbërritur mbi 11 mijë vizitorë.

Ndërsa policia kufitare ka vendosur 9 sportele hyrje, duke u krijuar të gjitha kushtet e duhura turistëve.

Po ashtu bëhet e ditur se si në muajin korrik dhe në gusht nga kjo pikë doganore kanë hyrë mesatarisht 11 mijë deri në 13 500 persona, ku përfshihen vizitorë nga vende të ndryshme të botës por dhe bashkëkombas që jetojnë e punojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

Sa i përket muajit korrik, sipas INSTAT, në Shqipëri kanë hyrë 1.379.302 persona dhe e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, shënohet një rritje 2.8 %, nga këta 864.023 persona janë të huaj.

Në total për shtatëmujorin e këtij viti në Shqipëri kanë hyrë 5.199.145 persona.

Për korrikun, zviceranët kanë rritjen më të madhe me 52,3 %, krahasuar me një vit më parë, por kemi më pak pushues të Kosovës me një ulje me 33,2 %.

Ndërsa për shtatëmujorin polakët kanë rritjen me të madhe me 71.1 % dhe sërish Kosova regjistron rënien më të madhe me 17,3 %.

Ndërkohë 1.362.491 persona kanë udhëtuar jashtë Shqipërisë në një muaj.

Të fundit