Flash News

KRYESORE

Bilanci i trajtimit të pronave, tërësisht në dëm të ish-pronarëve

Bilanci i trajtimit të pronave, tërësisht në dëm

Tani kur mandati katërvjeçar i qeverisjes është në mbyllje, bilanci i trajtimit të pronave ka shkuar tërësisht në dëm të ish-pronarëve. Ligji i Ri për Trajtimin e Pronës më 2015, reforma territoriale dhe përdorimi i fondit fizik të tokave për dhënie me qira ndaj bizneseve ka rënduar edhe më tej barrën për pronarët e vërtetë.

Regjistrimi fillestar i pronave ka konsumuar afatet dhe ende dy të tretat e banesave në proces legalizimi nuk e kanë marrë lejen. 7 pasojat që ka krijuar në ekonomi çështja e pazgjidhur e pronësisë. Ekspertët, pesimistë

 Blerina Hoxha

72 vjet pasi regjimi komunist tentoi ta zhdukte nga të qenit një element bazë i marrëdhënieve shoqërore prona nuk ka shkuar tek i zoti dh epronarëve u është mohuar e drejta e pronës private si element thelbësor dhe “i shenjtë” i rendit shoqëror mbi të cilin do të organizohej shoqëria jonë. Ana e errët e tranzicionit, më shumë se në çdo fushë tjetër, është pasqyruar në cenimin e të drejtave të pronësisë, duke shkaktuar më pas një faturë të lartë për të gjithë shoqërinë. Pothuaj të gjitha Qeveritë e pas viteve 1990 vetëm sa e kanë përkeqësuar zgjidhjen e problematikës, duke shqyrtuar në mënyrë të përsëritur problemin e duke miratuar e ndryshuar ligje bazë të konceptit të pronës, me një mendësi shumë dritëshkurtër, që synonte për të zgjidhur situatat e momentit dhe qëllime elektorale dhe jo një zgjidhje tëreëore që t’i qëndronte kohës apo ngjyrës së preferuar të Kryeministrit të radhës. Përjashtim nuk bëri edhe katërvjeçari i fundit, në të cilin janë ndërmarrë të paktën tre masa që kanë përkeqësuar interesat e ish-pronarëve, me gjasë për të penguar një faturë më të rëndë sociale të akumuluar ndër vite.

Myrshit Vorpsi nga Shoqata Pronësi me Drejtësi, tha se vendimi i parë dhe i rëndë është miratimi i ligjit numër 133 “Për Trajtimin e Pronës Dhe Përfundimin e Procesit të kompensimit të Pronave”më 2015 , që është tërësisht në dëm të interesave të ish-pronarëve. Ligji i ri për Trajtimin e Pronës, që u miratua herët më 2015, ka në themel kompensimin me çmimin e shpronësimit të vitit 1944, plus një indeksim të vlerës në vite. Kjo formulë ka synuar të çlirojë buxhetin e shtetit nga fatura e lartë, por nga ana tjetër e ul më shumë se 7 herë vlerën e kompensimit për ish-pronarët.

Ndërhyrja e dytë në dëm të ish-pronarëve është reforma territoriale, thotë Vorpsi. Ligjet që mbështetën këtë reformë përcaktojnë që të gjitha tokat ende në pronësi të shtetit kalojnë në pronësi të pushtetit lokal. Ky ligj ka shuar njëherë e përgjithmonë shpresën për të përfituar kompensim fizik.

Bashkitë, pasi të kenë marrë në pronësi ngastrat shtetërore, nuk kanë tagër ligjor që ato t’i përdorin që të kompensohen pronarët. Kohët e fundit, qeveria është në një fazë intensive të kalimit të territoreve në pronësi të pushtetit vendor.

Ndërhyrja e tretë me zarar, sipas Shoqatës së ish-Pronarëve shihet të jetë përdorimi i fondit fizik të tokave shtetërore për dhënien me qira nga Ministria e Bujqësisë. Vorpsi tha se para vitit 2013 u identifikuan 23 mijë hektarë tokë bujqësore për kompensimin e ish-pronarëve. Kjo sasi toke përbëhej nga masive parcelash në zonat më prodhuese të vendit dhe ishte mjaft e favorshme për të shërbyer si kompensim. Por pas vitit 2013, Ministria e Bujqësisë e mori këtë fond për t’ia dedikuar shfrytëzimit me qiradhënie për biznese apo persona të interesuar. Dhjetëra ankande janë zhvilluar dhe dy masive të mëdha toke bujqësore me 200-300 hektarë ishin në zonën e Pogradecit dhe në Bushat të Shkodrës, të cilat në vend që të ndaheshin për ish-pronarët siç ishte planifikuar, u dhanë me qira nga Ministria e Bujqësisë.

Këto tre masa i kanë përkeqësuar dukshëm të drejtat e pronësisë në vend përkrah 15 ligjeve që janë miratuar në 27 vitet e fundit në dëm të ish-pronarëve. Ligji i legalizimeve konsiderohet më i rëndi.

Të sfilitur nga mungesa e drejtësisë, ish-pronarët po u drejtohen gjykatave ndërkombëtare. Deri më tani, janë 329 çështje në Gjykatën e Drejtave të Njeriut në Strasburg, nga të cilat për 86 çështje ka përfunduar shqyrtimi dhe pritet vetëm vendimi. Për 18 dosje, vendimet janë marrë duke i dhënë të drejtë ish-pronarëve për t’u dëmshpërblyer nga shteti shqiptar me rreth 18 milionë euro. Vendimet e tjera pritet të faturojnë në buxhet 400 milionë euro.

Në këtë pikë, interesat e cenuara të ish-pronarëve janë shndërruar në një barrë të lartë fiskale për të gjithë qytetarët e vendit, pasi me taksat që i paguajnë shtetit për më shumë arsim, rrugë dhe spitale do të paguhen ish-pronarët. Vendimet e Strasburgut janë tituj ekzekutivë dhe nëse nuk shlyhen në kohë rrezikojnë, shteti shqiptar penalizohet rëndë nëpërmjet gjobave dhe interesave dhe anëtarësimi i vendit në BE pengohet nga ky fakt. Monitor

 

Të fundit