Flash News

KRYESORE

Billy Graham, një profet i pranuar

Billy Graham, një profet i pranuar

The Economist

BILLY GRAHAM, i cili vdiq më 21 shkurt në moshën 99-vjeçare, ishte ungjillori (evangjelisti) më i rëndësishëm amerikan i shekullit të kaluar. Ai ndoqi rrugën në të cliën kishin ecur një linjë e gjatë predikuesish para tij, siç ishin George Whitefield, Dwight Moody dhe Billy Sunday. Por, në disa pikëpamje ai ishte edhe më i suksesshëm. Ai ishte i afrët me një shpurë të gjatë presidentësh amerikanë duke filluar nga Harry Truman deri te Barack Obama. Shumë më tepër se çdo amerikan tjetër, Graham arriti 60 herë në krye të dhjetëshes së njerëzve më të admiruar në botë, në sondazhin vjetor “Gallup”. Ai predikoi personalisht  para rreth 215 milionnjerëzve në 185 vende të botë, në "kryqëzata" gjigante në stadiume, dhe arriti te miliona më shumë nëpërmjet radios dhe televizionit.

Lista e njerëzve që ai preku thellësisht, përfshin Mbretëreshën Elizabeta II, e cila e ftoi që ta vizitonte në kohën kur predikonte në Britani dhe Xhorxh W. Bush, i cili pretendon se pika e madhe e kthesës në jetën e tij, të shthurur deri atëherë, erdhi kur z. Graham vizitoi familjen e tij dhe "më udhëhoqi në rrugën e drejtë dhe fillova të ecja".

Kur z. Graham ia filloi nga puna, si një predikues i ri në Florida, Amerika ungjillore ishte e ashpër dhe e zjarrtë, e mbyllur në vetvete pas poshtërimit të sjellë nga gjyqi i Scope më 1925. Ungjillorët kryesorë nuk donin asnjë lidhje me botën e rënë, sidomos me atë botë që gjallonte jashtë Old Dixie (është fjala për Jugun e Amerikës-shën. i red). Z. Graham inkurajoi bashkë besimtarët e tij që të jenë më të butë dhe më mikpritës. Ai mbajti tubimin e parë të integruar fetar në vitin 1953, duke urdhëruar heqjen e një barriere që ndau zezakët nga të bardhët. Ai e çliroi Martin Luther Kingun nga burgu në vitin 1963 dhe, kur King u vra në vitin 1968, e shpalli atë një "profet" dhe "udhëheqës social". Në të njëjtën kohë u përpoq të vendoste disa shtylla intelektuale në një lëvizje që e kishte definuar veten si anti-intelektuale, duke ndihmuar në themelimin e Christianity Today, gazetës kryesore ungjillore të Amerikës, dhe duke vepruar si mbrojtës ndaj intelektualëve ungjillorë në ngjitje.

Marka bujare e ungjillizimit të z. Graham u sfidua nga disa figura të reja që u bënë të rëndësishme gjatë epokës Reagan. Jerry Falwell dhe Pat Robertson predikuan një formë më agresive të fesë. Jim Bakker dhe Jimmy Swaggart përsosën artin e teleungjillizmit; me lotët e Swaggartit që rridhnin si ujëvara e Niagarës. Por, për sa kohë që ai ishte ende aktiv, z. Graham gjithmonë vepronte si një ndikim moderues dhe civilizues mbi lëvizjen.

Vdekja e tij vjen në një kohë jo të mirë në historinë e ungjillorëve. Ata e kanë humbur entuziazmin për të arritur përtej territoreve të tyre të ngushta, sociale dhe politike. Gatishmëria e tyre për të bashkuar shortin me Donald Trump, pavarësisht rekordit të tij të gjatë me gratë dhe rekordit po aq të gjatë të mosinteresit për për fenë, apo prirjes së tij për ndarjen e vendit, duket se konfirmon frikën më të errët të kritikëve: se ata janë më të interesuar në mbështetjen e Republikanëve, të jenë si të jenë, se sa për të parë një standard më të lartë moral në jetën publike.

Bota që Billy Graham ndërtoi nuk është më me ne.

Të fundit