Flash News

KRYESORE

Biografi i Konicës dhe Esat Pashës po lexon "Si të bësh biografi'

Biografi i Konicës dhe Esat Pashës po lexon "Si të bësh

ÇFARE PO LEXON/ Ilir Ikonomi

Ilir Ikonomi mund të konsiderohet tashmë një biograf, dhe një prej më të mirëve në literaturën shqipe. Në shërbim të këtij profili i ka edhe leximet: ka rënë në librin "Si të bësh biografi' të Nigel Hamilton. Zakonet e leximit kanë të bëjnë me ultilitetin, thotë ai, pra me të lexuarit në funksion të gjërave që ka për të shkruar.

 

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Është një libërth, një revistë «Albania» e Faik Konicës, që është botuar në vitin 1907. E kam lexuar disa herë, fjalë për fjalë. Nga marazi që nuk kam ç’ti lexoj më, e ruaj thjesht si relike për t’i kujtuar vetes se një libër i mirë duhet t’i qëndrojë kohës, si ky i Konicës, përndryshe kot që shkruan.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Prej vitesh jam shndërruar në një lexues utilitar. Nuk lexoj më për kënaqësi, por vetëm për nevojat e mia si autor. Nëse një libër ka informacion të ri për atë që jam duke shkruar, e lexoj me kujdes; autori apo zhanri nuk kanë më rëndësi, më intereson informacioni. Qëllimi im është të racionalizoj dhe të kursej kohën që më ka mbetur.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Jo, sigurisht që jo. Një pjesë e mirë janë libra apo tekste historie që më shërbejnë si referencë. Disa janë biografi standarde: të Maos, Niksonit, Bushit apo Bill Clintonit, të Ajnshatajnit apo të Gandit, të cilat i lexoj me dëshirë, por jo të gjitha dhe jo faqe për faqe. Në bibliotekën time fizike nuk mbaj shumë libra, ato që nuk më hyjnë në punë i dhuroj. Biblioteka ime e vërtetë është ajo virtuale, pra librat që i ruaj në disqe kompjuteri. Duhet të kem më shumë se 1 mijë, të gjithë të fotografuar, nga faqja e parë tek e fundit. I kam gjetur andej-këtej, kryesisht në Bibliotekën e Kongresit në Uashington, sepse ata të lejojnë t’i fotografosh. Janë literaturë që mezi gjendet dhe shumë e dobishme për studimet e mia. As ato nuk i kam lexuar të gjitha, por pak a shumë ua di përmbajtjen.

-Libri i parë që keni lexuar…

Nuk e mbaj mend, por me siguri duhet të kenë qenë përralla, si ato të Vëllezërve Grim. Në rininë e hershme lexoja «Djemtë e rrugës Pal», «Spartaku», «Budenbrokët», «Të mjerët», dhe çdo klasik që më binte në dorë. Në atë kohë lexoja shumë, autorë shqiptarë dhe të huaj.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Nuk më duhej të kurseja, sepse me librat merrej babai. Ai i njihte librarët dhe çdo libër i ri që botohej, qoftë edhe në pak kopje, përfundonte në shtëpinë tonë sapo dilte në treg.

-A shkonit në bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Gjithnjë kam shkuar në bibliotekë. Shkoj edhe sot por vetëm për të gjuajtur ndonjë botim të rrallë e të vjetër.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Humbja e një libri më duket se është diçka e natyrshme dhe u ndodh të gjithëve. Më kujtohen librat e humbur dhe zakonisht mbaj mend dizajnin dhe ngjyrën e kapakut, mbaj mend nëse ishin të trashë apo të hollë. Një libër i humbur zëvendësohet me botime më të reja prandaj mendoj se nuk ka vend për nostalgji. E vetmja keqardhje e imja ka qenë një libër greqisht që gjendej në shtëpinë tonë dhe ku bëhej fjalë për Beratin. Ishte i shekullit të 19, krejtësisht i zverdhur nga koha dhe fletët po i shkërmoqeshin. Ia dhashë një mikut tim që merrej me restaurime për ta gjykuar nëse ishte vërtet me vlerë, siç e mendoja. Që nga ajo ditë nuk e pashë më. Ishte me kapak të fortë, të mbështjellë me beze që ishte errësuar nga koha dhe mbante erë myk.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Zakonisht librat i lexoj në tryezë, në kompjuter. Të tjerë, ata që nuk kërkojnë shumë vemendje, i lexoj pak nga pak në divan, i shtrirë përgjysmë.

 -Mbani shënime kur lexoni?

Nuk mbaj shënime, por heq vija vertikale anash paragrafëve kur më bën përshtypje diçka, sidomos kur gjej gabime, mungesë koherence ose fjali të shkruara rëndë. Më pëlqen kur gjej nga këto dhe nxitoj t’i nënvizoj. Kjo më kujton se unë mund ta kisha shkruar më mirë atë fjali ose paragraf, por nuk është aspak ndjenjë egoizmi ose ligësie për autorin.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Pyetje e vështirë. Shijet dhe fushat e dijes janë aq shumë saqë është e pamundur të rekomandosh se çfarë duhet lexuar. Nga ana tjetër sfera e leximeve të mia është relativisht e ngushtë: historia, biografitë, ngjarjet dhe njerëzit që kanë ndryshuar botën; në të gjitha këto letërsia po zë gjithnjë e më pak vend. Mendoj se për të patur një formim të mirë moral, leximi i klasikëve është i pashmangshëm, prandaj do t’ua rekomandoja të gjithëve, sidomos nxënësve. Gjithashtu, leximet mundësisht të përfshijnë autorë të sa më shumë periudhave dhe rrymave dhe të sjellin përvoja njerëzore nga shoqëri sa më të ndryshme. Unë nuk e shoh leximin si qëllim në vetvete.

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisn shpesh…

Ka shumë maksima për librat, besoj po aq sa ka edhe për dashurinë, jetën apo vdekjen. Në maksimat që kam hasur, librat krahasohen me dhuratat, me shpirtin, me dritën, madje me narkotikët. Ja njëra që më vjen në mend: “Një shtëpi pa libra është si një dhomë pa dritare”. Më duket shumë e goditur. Mungesa e librit është mungesë dielli, është mbytëse, pikërisht si një dhomë pa dritare. Libri duhet të jetë pjesë e shtëpisë po aq sa janë edhe dritaret.

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

“Give me your tired, your poor…” “Më jep të lodhurit, të varfërit e tu…” është varg i sonetit të famshëm të shkruar nga Emma Lazarus. Ndodhet në një pllakë të vendosur në bazën e Statujës së Lirisë në Nju Jork. Ata që kanë provuar të kenë qenë emigrantë ose refugjatë e dinë se sa kuptim kanë këto fjalë të thjeshta. Kur ti je i lodhur, i rraskapitur, i uritur dhe dikush të shtrin dorën e ndihmës… përfytyroni çfarë ndjenje! E kam parë vetë atë pllakë, por vargu mu kujtua tani sepse soneti është përmendur shpesh kohët e fundit këtu në SHBA për shkak të debatit që po bëhet për emigracionin.

-Çfarë po lexoni?

Po lexoj një libër anglisht që nuk besoj se u intereson shumë njerëzve. Quhet «Si të bësh biografi». Autor është biografi Nigel Hamilton. U gëzova shumë kur mësova se kishte një libër të tillë. Sikur ta kishte shkruar për mua!

Të fundit