Flash News

OP-ED

Bisedimet e fshehta Thaçi-Vuçiç janë tradhëti ndaj Kosovës

Bisedimet e fshehta Thaçi-Vuçiç janë tradhëti

David L. Phillips ka qenë këshilltar për Punët e Jashtme i Presidentit kosovar Hashim Thaçi, por në muajin tetor të vitit të kaluar ai dha dorëheqjen sepse, sikurse shpjegoi vetë, një pjesë e institucioneve kosovare kishin ecur në rrugën e ndarjes, ndërsa ai për vite të tëra ka këmbëngulur dhe punuar për Kosovën e pavarur. „Nuk mund të marr pjesë në planin  e propozuar të ndarjes i cili ka mangësi strategjike dhe në thelb është në kundërshtim me vlerat që unë respektoj“- pati deklaruar atëbotë ai.

-Informacioni i 'Kossev' mbi autorin

 

David L. Phillips

Bisedimet kërkojnë diskrecion, larg shikimit të rreptë të opinionit publik.

Megjithatë, nevoja për diskrecion duhet të jetë në ekulibër me inkluzivitetin, në mënyrë që të gjitha palët e interesuara të jenë pjesë e ecurisë dhe të mund t’i bindin votuesit e tyre që të mbështetin rezultatin e bisedimeve.

Presidenti kosovar Hashim Thaçi dhe kolegu i tij Aleksandër Vuçiç, janë takuar disa herë pas dyerve të mbyllura që të bisedojnë për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi hodhi një ide kontraverse mbi „korrektimin e kufijve“. Përveç Federika Mogerinit, përfaqësueses së lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe të Sigurisë, askush tjetër nuk e di se për çfarë kanë biseduar ata. Me këtë nuk janë të njohur as antarët e ekipit negociues kosovar.

Nuk është e lehtë të ruhen të fshehtat, sidomos për gjërat me rëndësi kaq të madhe ndërkombëtare. Ka zëra që thonë se Thaçi dhe Vuçiç planifikojnë të bëjnë publike marrëveshjen mbi shkëmbimin e territoreve direkt para takimit të tyre të radhës në Paris me 1 korrik.

Sipas disa konkluzioneve të një personaliteti të njohur të Kosovës, kushtet e marrëveshjes janë si më poshtë:

Serbia do të pranojë ta njohë Kosovën.

Kosova do t'i japë Serbisë Veriun e Mitrovicës dhe katër komunat e Veriut.

Kosova do të marrë katër deri në shtatë fshatra në Luginën e Preshevës, që tani janë pjesë e Serbisë. Këta fshatra nuk mund të formojnë territor unik kufitar (shënim i redaktorit: synimi i autorit nuk është tërësisht i qartë, por mund të ketë të bëjë me faktin se këta fshatra mund të jenë pjesë e enklavave kosovare në Serbi).

Liqeni i Gazivodës i cili ka rol kyç në furnizimin e Kosovës me energji elektrike dhe ujë, do të bëhet territor nën mbikqyrjen e organizatës ndërkombëtare (përshembull NATO).

Bashkësia e komunave serbe të Kosovës (BKSK) do të formohet edhe në pjesë të tjera të Kosovës në të cilat jetojnë serbë. BKSK do të jetë përgjegjëse për plaifikimin urban dhe rural.

Marrëveshja nuk përfshin minierës e Trepçës, e cila shtrihet të territorin e të dy vendeve. (Mozgjidhja e statusit të Trepçës shtron pyetjen: kush do të ketë përfitim nga kjo?).

Shkëmbimi i territoreve ka precedentë. Serbia, në vitin 1947, dha shtatë fshatra nga qarku i Gjilanit në Preshevë: Stancemin, Madaremin, Peçenon, Ranatovcen, Depçen, Ceravajkën dhe Seferin.

Fshatra të tjerë i janë kaluar Bujanovacit: Dobrosini dhe Koçuli, si dhe fshatrat malorë, Privobac dhe Zabince. Këta fshatra kanë gjithsejt një sipërfaqe pre 85 kilometër katrorë.

Në Kosovë, në vitin 1959, janë kaluar 45 vendbanime nga rajoni i Rashkës. Një pjesë e Leshkës dhe Zubin Potokut gjithashtu i është bashkuar Kosovës. Vendimi për këto ndryshime territoriale është marrë ekskluzivisht në Beograd. Në këtë kohë, statusi politik i Kosovës ishte i kufizuar në atë të një rajoni të kufizuar autonom brenda Serbisë.

Marrëveshja e Thaçit dhe e Vuçiçit mbi shkëmbimin e territoreve është një marrëveshje e keqe për disa arsye:

Vuçiçi nuk ka vota të mjaftueshme në Parlamentin serb për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë dhe ratifikimin e marrëveshjes. Njohja e Kosovës nga ana e Serbisë zë vendin qendror në kuadër të marrëveshjes.

Marrëveshja nuk merret me antarsimin e Kosovës  në BE dhe OKB. Realizimi i dëshirave të zbrazëta nuk ia vlen rrezikun.

Me vënien në jetë të kësaj marrëveshje do të institucionalizohej destabiliteti, do të izoloheshin fshatrat shqiptare në Preshevë dhe në Veri të Kosovës, duke formuar kësisoj geto si puna e Gazës.

Përsa i përket serbëve të Kosovës në jug të vendit, BKSK do të shkaktonte trazira dhe në fund të fundit do të nxiste migrimin e tyre nga Kosova.

Politika e Kosovës do të polarizohej akoma më shumë nëse të gjithë detajet e marrëveshjes nuk ndahen me ekipin kosovar për bisedime.

Me një shoqëri kaq thellësisht të ndarë Parlamenti kosovar do të diskutonte shumë ashpër për marrëveshjen. Ndarjet në shoqëri do të përkeqësoheshin, por mund të shkojë puna edhe deri te dhuna brendaetnike dhe ndëretnike.

Po ashtu, edhe në Bosnjë mund të vijë puna përsëri deri te dhuna nëse Republika Srpska kërkon të bashkohet me Serbinë.

Marrëveshja është gjithashtu e keqe edhe për politikën e jashtme të Kosovës. Mosinformimi i Anxhela Merkelit do ta largonte lideren gjermane e cila ka një qëndrim të vendosur për atë se integriteti territorial i Kosovës duhet ruajtur. Arritja e marrëveshjes pas shpinës së kancelares do ta zvoglonte mbështetjen gjermane për liberalizimin e vizave, lidhjet ekonomike dhe prioritete të tjera të Kosovës.

Pozita e Uashingtonit është e dyfishtë. Zyrtarët amerikanë theksojnë se do të mbështesin atë që mendojnë të dyja palët. Ky qëndrim përfaqëson zvoglim të rolit udhëheqës të amerikanëve në vendin në të cilin qëndrimet e Amerikës janë tejet të rëndësishëm.

Çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që nuk ka miratimin e Gjermanisë dhe SHBA-ve nuk do të ketë sukses. Gjermania dhe SHBA kanë rol kiritk në integrimin euroatlantik të Kosovës.

Në të ardhmen bisedimet duhet të:

Përfshijnë antarët e ekipit negociues kosovar dhe të informohen liderët e opozitës. Në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë takime pas dyerve të mbyllura mes Thaçit dhe Vuçiçit.

Të paraqesë kërkesa eksplicite për ratifikimin nga ana e Parlamentit dhe për referendum. Pjesëmarrja e shoqërisë shqiptare është proces kyç për implementimin.

Të kërkojë praninë e zyrtarëve amerikanë në të gjitha takimet. Pa ekskluzivitet për zyrtarët e BE-së.

Ekziston alternativa për ndarje: ndërtimi i shtetit dhe krijimi i një shoqërie të përbashkët me të cilën mbrohen dhe promovohen interesat e të gjitha bashkësive në Kosovë. Në vend që të fokusohen në detajet e korrektimeve të kufijve, Thaçi dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të theksojnë qëndrimin afatgjatë dhe të këmbëngulin për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, pa asnjë kusht.

Gjithçka më pak sesa më sipër do ta bëjë Thaçin pjesmarrës në tradhëti dhe do të keqpërdoret nga ana e Beogradit.

*Marrë nga portali 'Kossev', 31 maj 2019. Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza.

 

Të fundit