Bllokimi i 30 qershorit/ Pas Bylykbashit një tjetër zyrtar i opozitës ndiqet penalisht

Një tjetër zyrtar i opozitës ndiqet penalisht.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Lezhë proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, Kryetarin e Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj 54 vjeç.

Dyshohet se kryebashkiaku i Lezhës e ka kryer këtë vepër penale gjatë një emisioni ku ai ka qenë i ftuar.

Gjithashtu, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin Mirditë kanë proceduar penalisht për vepra penale kundër procesit zgjedhor në vend, shtetasit: A.K., 34 vjeç, banues në Mirditë; Gj.P., 28 vjeç, banues në Mirditë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë.

Më herët është proceduar penalisht në gjendje të lirë kryetari i PD-së në Elbasan, Aurel Bylykbashi, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Pengim me dhunë i veprimtarisë së partive politike”, si dhe “Pengim i subjekteve zgjedhore”.