Flash News

KRYESORE

Bllokimi i maskave për Shqipërinë në doganën greke, Ruçi e kryeparlamentarët e rajonit letër BE

Bllokimi i maskave për Shqipërinë në doganën greke,

Krerët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor i kanë drejtuar një letër të përbashkët Bashkimit Evropian për të shtuar masat shtesë për luftën ndaj pandemisë Covid-19.

Dy ditë pasi në doganën greke u bllokuan 10 mijë maska me destinacion Shqipërinë, kryeparlamentarët e Rajonit, përfshirë edhe Gramoz Ruçin, i kanë dërguar një letër Presidentit të  Parlamentit Evropian, David Sassoli dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes së cilës u kërkojnë që vendet e BP të përjashtohen nga vendimi për të kufizuar eksportin e pajisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian dhe të përfshihen në skemën e autorizimit të eksportit BE-së.

“Të vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës së pandemisë COVID-19, numrin e personave të infektuar dhe pajisjet e pamjaftueshme mjekësore të vendeve tona, sot, më tepër se kurrë, kemi nevojë për solidaritet, një qasje të koordinuar dhe veprim të përbashkët. Ndaj, kërkojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor: Të përjashtohen nga vendimi për të kufizuar eksportin e pajisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian dhe të përfshihen në skemën e autorizimit të eksportit BE-së; Të kenë akses në prokurimin e përbashkët me BE-në të pajisjeve mjekësore për të luftuar pandeminë; Të lejohen që një pjesë e fondeve të Programit IPA II dhe të gjitha fondet e tjera në dispozicion nga burimet e BE-së të përdoren për të luftuar pandeminë COVID-19.

Veç masave të propozuara, në emër të parlamenteve të vendeve tona, mirëpresim çdo lloj ndihme që Bashkimi Evropian është i gatshëm të vejë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor.”, shkruhet në letrën e kryeparlamentarëve të rajonit.

Letra është nënshkruar nga Gramoz Ruçi, Denis Zvizdic, Kryetar i Dhomës së Përfaqësueve të Bosnjë- Hercegovinës, Dragan Covic, Kryetar i Dhomës së Popujve të Bosnjë-Hercegovinës; Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës, Ivan Brajovic, Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi, Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe Maja Gojkovic, Kryetare e Parlamentit të Serbisë.

 

Të fundit